Nga Tahiri te Dako e Ahmetaj/ Çfarë ka thënë Edi Rama për bashkëpunëtorët e tij para dhe pas urdhrit për arrest

0
978

Nga Gëzim SALIU

Ky muaj i fundit ka qenë tejet përvëlues, jo vetëm si rezultat i temperaturave tejet të larta që po kalon vendi, por edhe në kuadër të skandaleve të shumta që ndodhën në oborrin e shumicës qeverisëse. Fillimisht ishte arrestimi i ish kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako, i cili shënoi fundin politik të një prej individëve më me shumë pushtet në aksin e PS-së, njëkohësisht mik,  i pranuar publikisht si i tillë, nga kryeministri i vendit.

Më pas do të vinte video skandali i kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici, i cili përtej peshës morale, pati edhe ndërlikime të forta antiligjore pasi favori seksual u dha përkundrejt një tenderi që do ‘lëshohej lehtë’ nga Gjici. Nuk do mbaronte me kaq, pasi vetëm dy javë nga ky skandal në Borizanë të Fushë Krujës anëtarë të familjes së deputetit socialist Rrahman Rraja, përmes një dhune të paprecedentë sulmuan fizikisht dy qytetarë të zonës vetëm për shkak të ankimit të tyre për guroren.

E nëse Rama nga njëra anë nuk po gjente fjalët për të shprehur shfajësimet e tij të zakonshme për ngjarjet e njëpasnjëshme që po ndodhnin brenda kampit të pushtetit, një tjetër ish bashkëpunëtor i ngushtë i tij do të ishte në listën e SPAK për arrestim. Ish zv.kryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për korrupsion në 6 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie, të gjitha këto të lidhura me çështjen e inceneratorëve.

 

Rasti Ahmetaj

Fjalimi i Ramës për kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Ahmetajt nuk ishte shumë larg pritshmërive të çdokujt që më së paku ka jetuar brenda territorit shqiptar në 10 vitet e fundit. “Përgjegjësia personale” është tashmë fraza etalon e kryeministrit çdo here kur një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, sic edhe ai i cilëson, akuzohet për korrupsion apo lidhje me krimin.

‘Arben Ahmetaj nuk është bashkëpunëtor i largët. Është një nga bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë Nuk më takon mua të them nëse është i pafajshëm apo jo. Por ndryshe nga një rast tjetër, rasti i sotëm, kërkesa e Prokurorisë duhej miratuar. Kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë kur bën 2 punë, edhe për shtetin dhe për xhepin, merr një përgjegjësi që nuk e ndan dot, as me mua dhe as me ne. Unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar kur ai e lëshon veten jashtë rrugës së përbashkët”, u shpreh Rama në një video mesazh të kuruar në 14 korrik të këtij muaji, dy ditë para miratimit në Parlament të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e ish zv.kryeministrit.

 

Mirëpo, përtej fjalëve për t’ja lënë drejtësisë në dorë, veprat e kryeministrit mbeten aty në raport me ish bashkëpunëtorin e tij të ngushtë. Ahmetaj ka qenë një prej njerëzve që Edi Rama u ka dhënë më shumë pushtet brenda kabinetit qeveritar dhe në strukturat e partisë, derisa i erdhi laku te fyti e në saj të presionit ndërkombëtar u desh ta lëshonte.

Në mandatin e parë, Ahmetaj shërbeu si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përgjatë periudhës shtator 2013- shkurt 2016. Nga shkurti i 2016 deri në janar të 2019, Ahmetajt iu besua një tjetër post me shumë rëndësi në qeveri, çelësat e financave të vendit. Nga Dhjetori 2019 dhe në vazhdim Arben Ahmetaj mori një tjetër përgjegjësi duke drejtuar Ministrinë e Shtetit për Rindërtimin, pas një viti në drejtimin e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Puna e bërë në procesin e rindërtimit, bëri që kryeministri Edi Rama ka vendoste në krahun e djathtë.

Po ashtu Ahmetaj ka qenë edhe drejtues politik i qarkut të Vlorës.

Por një vit më parë gjithçka ndryshoi si me magji. Rama nisi një distancim të fortë me ish krahun e tij të djathtë, duke e lenë të hapur rrugën e arrestimit të tij. Fillimisht, e shkarkoi si zv.kryeministër, pikërisht një vit më parë, në korrik të 2022-it.

‘Falënderoj Arben Ahmetajn për kontributin në misionin tonë të përmbushur me një sukses spektakolar për Rindërtimin.”, pohonte Rama në atë kohë.

Ndërsa kur u pyet në shtator të vitit 2022 se nëse përjashtimet e njëpanjëshme që  i bëri Ahmetajt që nga shkarkimi si zv.kryeministër e më pas heqja e tij si drejtues i qarkut të Vlorës, janë lëvizje që po paralajmëronin një hetim të tij për inceneratorët, Rama do të përgjigjej:

“Këto janë ato përrallat, ju jeni në të drejtën tuaj të tregoni përralla duke përkuar pas çdo vendimi dhe hapi qëllime që nuk ekzistojnë”, tha Rama.

Në fakt vetëm përralla nuk rezultuan këto lëvizje të kryeministrit se vetëm 1 vit pas shkarkimit , Ahmetaj tashmë ka mbi supe një urdhër arrest nga SPAKU dhe ndërkohë është i arratisur në një vend misterioz për të cilën ende sot nuk ka detaje të plota.

Por cila kanë qenë sjellja e kryeministrit me të tjerë personazhe të rëndësishëm nga kampi i tij kur janë arrestuar?

 

Rasti Dako

Një rast të freskët kemi ish kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako, i cili më 6 qershor të këtij viti do të përfundonte në burg për dhënie të lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin dhe tendera korruptivë.

Ditën që miku  i tij përfundoi pas hekurave, Rama do të pohonte nga Berati: “Duhet bërë durim i madh në luftën kundër korrupsionit, kemi hyrë në fazë të re ku për herë të parë në historinë e popullit tonë po goditen njerëz të lidhur me pushtetin. Natyrisht kjo s’është e lehtë, ka gjëra që të bëjnë të ndjehesh jo mirë, se nuk ke se si ndihesh mirë kur shikon dikë që deri dje ka qenë krah teje sot është krah avokatit’”.

 

Ndërkohë kur Vangjush Dako u shpall “Non Grata” nga SHBA, Rama në një intervistë në në emisionin “Opinion” të datës 13 shkurt 2020 do të deklaronte se Dako do të ishte miku i tij edhe nëse shkonter në burg.

I pyetur nga gazetari Robert Rakipllari përse nuk është distancuar nga Vangjush Dako kur Departamenti Amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen në SHBA, Rama e bëri të qartë se Dako është miku i tij . “Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im, që të jesh i qartë ti. S’mi përcakton Departamenti Amerikan i Shtetit kë kam mik dhe kë s’kam mik unë. Edhe në burg të shkojë të nesërmen, do të jetë miku im.”, tha Rama.

 

Rasti Tahiri

Ndërkohë rasti më tipik dhe më me shumë zhurmë mediatike në kampin e mazhorancës ka qenë padyshim ai i sh ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.  Rama dhe Tahiri ishin bashkë në çdo moment në mandatin e parë qeverisës. Në 4 vite si Ministër i Brendshëm, Tahiri e pati kryeministrin si avokatin e tij më të mirë përballë akuzave për kultivim dhe trafik droge, për korrupsion dhe bashkëpunimin me kriminelët.

Madje edhe në 23 mars të 2017-ës, pak muaj para se Tahiri të ndahej si me thikë nga tufa e socialistëve, Rama do ta mbronte publkikisht përballë Ben Blushit në Parlament, duke pohuar:

“Ti nuk e kupton dot, që të diskutosh a duhet të jetë Saimiri ministër apo ti, është njësoj të diskutosh nëse Champions League-n do ta fitojë Juvja apo Shakohoxha”.

Por kur dosja e Habiljave e ardhur nga Italia u bë publike dhe Prokuroria po kërkonte arrestimin e ish ministrit të Brendshëm, Rama nisi distancimin nga Tahiri.  Si fillim i vuri Tahirit epitetin “dru i shtrembër”, pastaj e largoi nga grupi parlamentar, për të nisur një proces lëshimi të mikut të tij që nisi më pas një kalvar të gjatë gjyqësor.

Ndërkohë më parë, Ramës iu desh të marrë disa vendime të forta, duke mos lejuar arrestimin e Tahirit nga prokuroria, me votimin kundër të socialistëve në parlament. Ramës ndërkoi mbajti një fjalim të fortë kundër Tahirit, një ditë para se socialistët të bllokonin arrestimin e ministrit të brendshëm në parlament. Në këtë fjalim, kryeministri pranon se për 4 vite, e mbajti Tahirin pranë tij dhe se nëse “Saje Qorri” siç e quan ai, do të rezultonte fajtor për akuzat, atëherë ai do të ishte pishmani më i madh i jetës së tij politike.

“Shumë mund të thonë se jo e lëshoi Saimirin tonë, jo e lëshoi Saje Qorrin e tij. Nuk më intereson. A është i pafajshëm Saimir Tahiri?? Kësaj pyetjeje nuk i iki asnjëherë. Boll e kam bërë avokatin e Saimir Tahirin në gjyqet e sheshit tonë mediatik dhe politik. E kam bërë me besim të plotë dhe pa dyshuar kurrë në integritetin e tij. A jam pishman sot? Jo, nuk kam si të jem pishman. Unë uroj se të mos e kem pishmanin e jetës sime politike”.

Ndërkohë dy ditë më pas në mbledhjen me deputetë socialistë, Rama bëri edhe distancimin e madh me Saimir Tahirin, duke u shprehur se ai nuk ka qenë bashkëpunëtori i tij i afërt dhe se kjo gjë ishte thjeshtë një perceptim i popullit, sepse atij i është dashur ta mbrojë për shkak të detyrës. “Rrugëtimi i vështirë dhe peripecitë e ministrit të brendshëm më vunë në mbrojtjen publike dhe jo publike të tij. Këtu u krijua perceptimi i gabuar se ai ishte bashkëpunëtori im i ngushtë.”, do të pohonte Rama.

 

@STANDARD.AL

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here