Deputeti i PD, Saimir Korreshi ka ironizuar deklaratën e sekretarit për Çështjet Ligjore Indrit Sefës.
Indrit Sefa theksoi se qëndrimi i 7 deputetëve që kërkojnë bllokimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit është antistatuore.
Duket se deputeti demokrat, nuk e ka pritur aspak mirë këtë deklaratë, duke mos u kursyer aspak me kritikat e tij.
Në një status të publikuar në Facebook, Korreshi shkruan: Deklaratë për shtyp!
7×7 = 276
Na rrufshit patericën!
Deklarata e Indrit Sefës:
Pasi u njohëm me deklaratën e 7 deputetëve që kërkojnë bllokimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të PD, me keqardhje konstatoj se kërkesa e tyre është anti-statuore. U kujtoj deputetëve, se Anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe vetë Këshilli Kombëtar, shprehen vetëm me vendime. Pretendimi për konstatim të vullnetit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar jashtë instrumenteve statutore të Mbledhjes së Këshillit Kombëtar, është në kundërshtim me dispozitat e Statutit.
– Anëtar legjitim i Këshillit Kombëtar është:
Çdo person që gëzon cilësitë e anëtarit të Partisë Demokratike. Asnjë person që militon në një grupim tjetër politik, bën fushatë për kandidatë të ndryshëm nga ata të Partisë Demokratike apo për subjekte të ndryshme nga Partia Demokratike, nuk është më Anëtar i saj e për pasojë as Anëtar i forumeve. E bëj këtë sqarim për t’i kujtuar deputetëve se ndoshta rastësisht kanë harruar që në grupin më sipër bëjnë pjesë dhe personat që militojnë me Foltoren dhe Sali Berishën.
Njeriu që për interesat e tij personale, prej më shumë se dy vitesh po përdor gjithçka për të penguar PD-në në rrugëtimin normal të saj. Të interesuarve direkt për t’i shërbyer Sali Berishës dhe interesave të tij, u kujtoj gjithashtu se në bazë të statutit, Sekretari i Përgjithshëm ka kompetenca vetëm për organizimin e brendshëm të Partisë e në asnjë rast për përfaqësimin e saj në raport me të tretët. Sekretari i Përgjithshëm nuk ka të drejtë të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Këtë të drejtë e ka vetëm:
1- Kryesia
2- Kryetari
Në zgjedhjet e brendshme në Parti, Sekretari i Përgjithshëm nuk ka asnjë kompetencë statutore. I ftoj dhe njëherë demokratët të bëhen pjesë aktive e riorganizimit sa më të shpejtë, si mënyra e vetme për t’u bërë gati në përballjet me Edi Ramën. Çdo vonesë apo kleçkë që dëmton këtë proces, është sot një largim i vëmendjes për humbjen e radhës që Sali Berisha koleksionoi në Rrogozhinë.
Dhe në vazhdim është shërbimi i radhës ndaj interesave personale të familjes Berisha. Statuti i PD është përmbledhja e rregullave mbi të cilën vepron partia dhe anëtarët e saj. Respektimi i tij dhe jo përdorja në funksion të atyre që kanë përgjegjësinë për situatën ku ndodhet PD, mbetet detyra dhe misioni ynë.