Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë
Dekonspirim kriminal i operacionit të kërkuar nga Europol dhe SPAK: Ja mbathin pasi njoftohen, 9 nga 15 kriminelët
Europoli, bazuar në përgjimin e telefonave Sky, ECC dhe Encrochat kishte sjellë në Shqipëri dosjet e 15 kriminelëve shqiptarë trafikantë droge, prostitucioni, autorë vrasjesh, përdhunuesish. Por, në këtë operacion, nga 15 banditë u arrestuan vetëm 6, sepse 9 të tjerë, ndër të cilët dy anëtarë të klanit të partisë “Bajri”, ja mbathën siç është rregulli, “në drejtim të paditur”.
E vërteta është se operacioni, në masën 60% dështoi. Kjo, vetëm e vetëm se autoritetet shqiptare, të lidhura me bandat e partisë, i njoftuan banditët e tyre që t’ia mbathin. Ministri i krimit Balla, i njohur për lidhjet direkte me disa prej të arratisurve, vrapoi i pari të lavdërojë Policinë për operacionin, 60 përqind të dështuar, si për të thënë “mos kujtoni se i kam njoftuar unë”.
Partia Demokratike, duke falënderuar Europolin për kontributin e madh dhe të çmuar që po jep në luftën kundër kriminalitetit të lidhur me politikanë në vendin tonë, dënon me ashpërsinë më të madhe dekonspirimin kriminal dhe dështimin e këtij operacioni nga organet ligjzbatuese të Shqipërisë, të lidhura me krimin.
Zero tolerancë është zotimi i PD ndaj krimit të organizuar!