Vatra e zjarrit në malin e Gjallicës në Kukës është riaktivizuar pas rritjes së temperaturave e për pasojë ka përfshirë pyjet e dendura me pisha të larta halore dhe shkurre. Sipërfaqja e djegur është zgjeruar pavarësisht ndërhyrjes me mjete rrethanore nga punonjësit e institucioneve.
Ekipi zjarrfikës, zonat e mbrojtura, drejtoria e pyjeve në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe banorët e zonës po vijojnë punën për izolimin e rishfaqjes se vatrës së zjarrit në malin e Gjallicës, e rënë në datën 25 korrik. Aktualisht, zjarri ka përfshirë zonën e lartë me pisha halore të Gjallicës, duke dëmtuar një ndër pjesët më të bukura të saj. Terreni i thepisur dhe lartësia e madhe, prej 2100 metra, është e pa mundur ndërhyrja e automjeteve. Kërkohet që, për neutralizimin e flakëve të ketë ndërhyrje nga ajri pasi edhe erërat po favorizojnë përhapjen e tyre.