Berisha: Kërkoj dorëheqjen urgjente të Artur Metanit si rrezik madhor për hetimin e vjedhjes së shekullit

0
189
Avokati i Shtetit Artur Metani, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit Parlamentar te Ligjeve, ku paraqiti raportin vjetor te ekzekutimit te vendimeve te Gjykates Evropiane e te Drejtave te Njeriut, per vitin 2018./r/n/r/nState Attorney Artur Metani, speaks during a meeting of the Parliamentary Law Committee, where he presented the annual report on the execution of the European Court of Human Rights decisions for 2018.

Kryetari demokrat, Sali Berisha, iu përgjigj një deklarate të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani. Ky i fundit nuk i dha asnjë përgjigje akuzave të Berishës ndaj tij, por tha se ato janë intimidim. Në përgjigjen e sotme, Berisha thekson se Metani është pjesë e organizatës kriminale të inceneratorëve dhe kërkon dorëheqjen e tij

REAGIMI I BERISHËS

Përgjigje ndaj reagimit të z. Artur Metani!

Të dashur miq, dje në takimin tim me gazetarët përsërita kërkesën time të ligjshme për dorëheqjen e menjëhershme të Artur Metanit nga Inspektor i Lartë i Drejtësisë si një kërcënim madhor për hetimin e vjedhjes së shekullit.

Artur Metani, në vend të reflektimit, reagoi ndaj kërkesës sime, duke e konsideruar këtë kërkesë si presion, intimidim dhe që kërkesën ta paraqesë në Prokurori. Në reagimin e tij Metani, jo vetëm që nuk refuzoi dot asnjë nga akuzat e mia konkrete ndaj tij, por në një farë mënyre me injorimin e tyre ai i pranoi ato.

Me këtë rast unë i përsëris edhe njëherë z. Metani se ai me pozicionin që ka, de fakto kryeministri i drejtësisë, përbën rrezik madhor për hetimin e vjedhjes së shekullit, ndaj ai duhet të japë menjëherë dorëheqjen dhe këtë nuk e them absolutisht për motive politik, jo dhe jo. Unë kërkoj dorëheqjen e Artur Metanit, sepse mbi bazën e dokumenteve zyrtare, rezulton anëtar i rëndësishëm i organizatës kriminale të vjedhjes së shekullit. Në kohën kur ka qenë në detyrën e drejtorit të Departamentit Juridik të Këshillit të Ministrave, Artur Metani rezulton me fakte se është direkt dhe personalisht i implikuar në procedurat antiligjore kriminale të miratimit të kësaj afere nga Edi Rama dhe kabineti i tij.

Kështu, në kundërshtim me çdo praktikë dhe pa asnjë tagër ligjor, ai ka drejtuar një mbledhje me 5 zëvendës ministra në Ministrinë e Mjedisit, për t’iu imponuar atyre miratimin e zëvendësimit të strategjisë së trajtimit të mbetjeve me depozitim, seleksionim, riciklim të hartuar me 4 milionë euro nga BE me strategjinë e djegësave, duke shpallur për këtë qëllim emergjencën mjedisore kombëtare me qëllim që të krijohet baza ligjore për vjedhjen e shekullit. Shtoj këtu, se në këtë mbledhje me gjithë presionin zëvendës ministrat Ylli Manjani dhe Arben Isaraj kanë votuar kundër.

Artur Metani është anëtar cilësor i organizatës kriminale, sepse ai është i implikuar rëndë e direkt, pikërisht në procedurën më themelore dhe më antiligjore që shërbeu si bazë për të gjitha aktet e tjera zyrtare të procedurës korruptive të vjedhjes së shekullit.

Unë kërkoj dorëheqjen e Artur Metanit, sepse për cilindo që merret më seriozitet dhe paanësi me hetimin e mega-aferës korruptive të djegësave, Metani së bashku me Engjëll Agaçin ka përgjegjësi ligjore dhe penale direkte në miratimin që kanë dhënë për përdorimin e procedurës antiligjore pa garë dhe me negociata të mbyllura për djegësin e Elbasanit, procedurë kjo e kundërshtuar prerazi nga Agjencia Kombëtare e Prokurimeve Publike.

Unë kërkoj dorëheqjen urgjente të Artur Metanit si rrezik madhor për hetimin e vjedhjes së shekullit, sepse si anëtar i organizatës kriminale të vjedhjes së shekullit, si drejtor i Departamentit Juridik të Këshillit të Ministrave ai mban përgjegjësi personale direkte për miratimin, ose mos denoncimin e dhënies në kundërshtim me ligjin të bonusit prej 8 pikësh një kompanie që nuk ekzistonte për ndërtimin e djegësit të Tiranës. Edhe në këtë rast Metani ka pasur dijeni të plotë nga shkresa e ministres Felaj, se nuk kompania që po i jepej bonusi prej 8 pikësh për djegësin e Tiranës nuk ekzistonte.

Për të gjitha këto Artur Metani duhet të japë dorëheqje të menjëhershme dhe të parevokueshme si kusht elementar për hetimin e shekullit, nga i cili ai në konflikt të plotë interesi përpiqet të shpëtojë duke përdorur postin e tij. sb

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here