Kriminalizimi i ekonomisë/ Banka e Shqipërisë e pafuqishme përballë zhvlerësimit të euros

0
136

Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të ndalur rënien e euros në fillim të gushtit ka rezultuar e pasuksesshme. Si asnjëherë tjetër zhvlerësimi i monedhës europiane ka nxjerrë nga loja institucionet financiare, pasi javën e kaluar guvernatori Gent Sejko paralajmëroi ndërhyrjen me qëllim stabilizimin e monedhës europiane

Banka e Shqipërisë kishte planifikuar të blinte 160-220 milionë euro nga tregu i brendshëm, por duke parë pikiatën e euros vendosi t’i shtojë edhe 80 milionë euro të tjera. Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë bleu 18 milionë euro.

Por çfarë ndodhi? Pas një rritjeje për disa ditë të euros, që iu dedikua sinjaleve nga Banka e Shqipërisë, monedha europiane iu rikthye rënies. Kursi ka pësuar rënie me afërsisht 1.2 lekë që nga enjtja e kaluar.

Lexo edhe: Rënia e Euros/ Kush janë fituesit dhe humbësit më të mëdhenj?

Një nga shpjegimet është se prurjet valutore këtë vit janë mjaft të mëdha, kryesisht për shkak të numrit rekord të turistëve të huaj që po vizitojnë Shqipërinë këtë vit. Por luhatjet në kursin e këmbimit ishin përtej normales dhe kapën nivele historike.

Pikiata e euros detyroi Komitetin e Eksportuesve që t’i dërgojnë një letër drejtuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Bankës Europiane për Zhvillim ku u ankuan për ndërhyrje të parave të krimit në ekonomi.

Në letrën e tyre ata pretenduan se forcimi i lekut shqiptar nuk vjen se në ekonominë shqiptare ka më shumë produktivitet, as se ka më shumë konkurencë, as se ka më shumë investime të huaja apo më shumë të ardhura nga emigrantët.

“Luhatjet e mëdha dhe të përkohshme që dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe turizmin duket se ndikohen edhe nga paratë informale apo kriminale në ekonominë shqiptare, kryesisht në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset fitimprurëse” shkruajtën tregtarët.

Shpjegimi që japin eksportuesit nuk gjendet në asnjë deklaratë të zyrtarëve të shtetit. Si guvernatori Sejko, ashtu edhe Ministrja e Financave Ibrahimi thonë se shkak për rënien e euros janë 1) paratë e turistëve, 2) prurjet e emigrantëve dhe 3) investimet e huaja. Por duket se pafuqia e Bankës së Shqipërisë për të mbajtur nën kontroll kursin e këmbimit, i jep të drejtë tregtarëve: treguesit e ekonomisë po diktohen nga paratë e krimit dhe jo nga institucionet financiare./Lapsi.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here