Gjykata e Vlorës ka lënë në burg Rei Metën e cili vrau me grushte ndërtuesin Armando Meshau në Vlorë. Në dëshminë e tij të zbardhur nga mediat Meta ka shpjeguar se në ditën e ngjarjes kishte shkuar në Vlorë për të takuar një shokun e tij si dhe nënën. T
eksa ishte ulur në një lokal ai ka parë Armandon i cili i ka thënë “ika se kam punë” dhe është futur në qendrën e internetit, ngjitur me kafen.
Pas disa sekondash edhe Rei ka shkuar tek interneti. Ai i është afruar duke i thënë “hajde pimë kafe dhe flasim për kontratën që kemi. Ndërsa Armando është përgjigjur: “Nuk kemi fare se çfarë të flasim bashkë”. Rei i ka thënë: “Kemi kontratën që kam për të marrë një pronë”, por viktima i është përgjigjur: “Ik shiko hallin se nuk më bën asgjë”.
Rei ka vijuar: “Hajde ulemi dhe flasim të mos merremi me gjyqe”, ndërsa pretendon se pas kësaj Armando e ka goditur me grusht dhe ai i është kundërpërgjigjur instinktivisht, më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Në dosje thuhet se konflikti mes tyre ka nisur për një apartament 60 metra katrorë në Radhimë, për të cilën Armando Meshau u shpërblye me shifrën 7 mijë euro. Prej kontratës së nënshkruar në vitin 2020, Rei Meta thotë se nuk ka marrë pjesën e tij dhe për një periudhë prej 7-8 muajsh, Meshau nuk i hapte telefonin.
“Rei Meta ka shpjeguar se me Armandon ai ka nënshkruar një kontratë sipërmarrje si komision për gjetjen e një trualli në fshatin Radhimë, ku do të ndërtonte Armando, ndërkohë që shtetasi Rei Meta do të shpërblehej me 60 m2 apartament dhe në shkëmbim do i jepte Armandos 7.000 euro.
Kontrata sipas këtij shtetasi është bërë që në vitin 2020. Pasi është bërë ndertimi ai sqaron se ka kërkuar të merrte pjesën e tij, por nuk ka mundur, pasi prej 7-8 muajsh shtetasi Armando Meshau, i kishte ndërprerë komunikimin pasi nuk i hapte më telefonin.”- thuhet në dosje.
Policia gjyqësore ka pyetur edhe personat që ndodheshin në kancelari në momentin që ndodhi ngjarja. Në dëshminë e dhënë nga administratori i kancelarisë, mësohet se Rei Meta i është drejtuar Armandos me fjalët: “Unë të kam paguar për shërbimin dhe dua dokumentin”, ndërkohë Armando i është përgjigjur: “Jo me mua këto muhabete”.
Debati ka vijuar dhe Rei Meta i është përgjigjur: “Fol pak më qetë me mua se ka edhe njerëz të tjerë përreth që nuk na njohin”, ndërsa Armando është çuar në këmbë duke i thënë: “Seriozisht e ke ti” .