Shumë kanë dëgjuar, shumë kanë lexuar, debat mes mediash, gazetarësh, njerëz që flasin, politika që akuzon, gazetarë që investigojnë, gazetarë të lirë që përballen me llumin e gazetarisë.
Pyll pa derra s’ka dhe në gazetari, me ata që u paguan dhe bënë gjithçka që të merrnin nga milionat e eurove të aferës së inceneratorëve.
Por këto janë denoncuar, do të ketë dhe të tjera, SPAK po i heton.
Sot do të shpjegojmë me pak fjalë, pse është kaq banale, një mashtrim, një vjedhje dhe një abuzim, skema e inceneratorëve.
Në Elbasan dhe në Fier u bënë dy investime që në fakt donin t’i quanin koncensione apo PPP, por nuk janë të tilla. Janë dy inceneratorë që mund t’i quajmë investime publike, por të ndara në vite, në plane buxhetore që nuk paguhej e gjithë shuma prej 20 apo 30 milionë eurosh brenda një viti, por gjendet një afat deri në 7 vjet.
Kompanitë që e ndërtuan merrnin kredi. Në momentin që fillonin interesat e kredisë, shteti u jepte lekët. Atje brenda kishte dhe abuzim, siç e ka gjetur SPAK-u, por inceneratorët janë atje.
Ai i Elbasanit ka një kosto shumë të shtrenjtë për t’u mirëmbajtur, ai i Fierit ende s’ka përfunduar, do të duhen investime të tjera, por janë si investime publike, pavarësisht se atje ka pasur korrupsion, janë të përfituara në mënyrë abuzive dhe akuzat tashmë i ka institucioni i SPAK dhe gjykata për t’i vlerësuar dhe për të dhënë dënimet përkatëse për personat e përfshirë.
Tirana është skema më abuzive nga të gjitha.
Vjen një kompani e ndërtuar në Holandë, ku themeluesi i saj kryesor është Klodian Zoto (pas tij fshihet Mirel Mërtiri), i cili vendos dhe disa emra të tjerë me kontrata me kusht, megjithëse aksionerët dhe personat që kanë deklaruar në SPAK thonë se nuk kanë lidhje. Dikush thotë që nuk ka lidhje fare me Holandën, nuk ka çuar dokumenta për themelim kompanish në Tiranë apo për regjistrimin e tyre, dokumenta, zyrtarizime e të tjera si këto.
Mirel Mërtiri në Bagdad
Në Holandë ka parakontratë me kompanitë që themelojnë mëmën, kompaninë Integrated Energy që më pas u bë Geogenix. Pra është kompania “Paul Wurth”, kompania “Energy Recuperator” dhe kompania “ITS” e Klodian Zotos.
Menjëherë pasi firmoset kontrata koncensionare, pa pasur asnjë lekë, thjesht 50 mijë euro, pa hedhur asnjë investim, me shifra qesharake, kjo kompani mori kontratën koncensionare të inceneratorit dhe landfillit të Tiranës (e përllogaritur në 30 vite mbi 750 milionë euro), dhe më pas këto aksionerë që bënin vlerësimin dhe quhej “Paul Wurth” apo “Energy Recuperator”, që në fakt thuajse ishin e njëjta gjë në, ato momente largohen pas jo më shumë se 4-5 muajsh.
Pra, Klodian Zoto themelon një kompani për të marrë koncensionin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës në Holandë.
Kompania gënjen shtetin shqiptar sepse thotë që ka partnerë të tjerë dhe brande të rëndësishme, emrat e të cilëve në fakt janë larguar pas pak muajsh.
Kompania vihet në emër të një italiani. Klodian Zoto kërkon të fshehë emrin siç u zbulua nga e-mail-et e SPAK dhe të dalë me një fondacion që të mos dalë “ITS-ja” e tij.
Por, ajo që është më skandalozja është një tjetër fakt.
Mëma e Holandës merr koncesionin në Shqipëri, pasi krijohet kompania “Integrated Energy BV SPV”, pra bija lidh një kontratë me “ITS-në” e Klodian Zotos, pra nënkontraktim dhe para pak kohësh e ka prishur atë në momentin që plasi “bomba” e Elbasanit, Fierit dhe Klodian Zoto u shpall në kërkim.
Dalin 11 faqet e para të akuzës së SPAK për inceneratorin e Tiranës/ Nga bashkia Tiranë te ministritë, si i kontrollonte Zoto dhe Mërtiri
E vërteta është se kompania e inceneratorit të Tiranës dhe landfillit nuk ka pasur mjete apo investime të bëra prej saj direkt apo nga të ardhurat që kishin gjendje në bankë.
Pasi kanë marrë kontratën koncensionare kanë marrë kredi dhe pasi qeveria shqiptare nëpërmjet bashkisë së Tiranës kanë filluar dhe i kanë paguar me dhjetëra miliona euro, kanë marrë me dhjetëra miliona euro të tjera nga biznesi privat, nga hedhja e dherave, mbetjeve etj, dhe kanë paguar nënkontraktorë.
Pra, kompania s’ka bërë asgjë, pasi u themelua mori koncensionin, mori paratë nga shteti dhe me paratë që mori nënkontraktoi, kamiona, fadroma, fadromistë, shofera, mori makina me qera, pra merrte lekë nga shteti, ia jepte nënkontraktorëve dhe fuste në xhep fitimin, por rrugës duheshin dhe para në të zezë sepse kështu ka ndodhur.
Duheshin disa miliona euro për t’u dhënë dhe janë faturat false, sepse nuk mjaftonte fakti që fitimi do ishte marramendës, por duheshin dhe thasë me para për të mbyllur gojën apo për të paguar individë të korruptuar.
Vetëm kështu shpjegohet dalja e parave në të zezë, dalja e parave me çanta, pagesat fiktive, blerjet false dhe milionat e eurove që nuk nuk ekzistojnë si investime, pra nuk janë punime të kryera pasi nënkontraktorët paguheshin në një formë tjetër dhe pastaj sipas SPAK gjendej “ITS” për të firmosur fatura me 4 apo 5 milionë euro që këto janë shumë pak deri tani nga ato që ka provuar SPAK, pasi abuzimi është shumë herë më tepër dhe me kompanitë e tjera të lidhura zinxhir që shkojnë në Bullgari, në Maltë dhe vijnë në Tiranë.
Këtu janë të përfshirë edhe personazhe të tjera sipas dokumentave që SPAK ende i ka në hetim.
Skema është e qartë, ndërtojmë një kompani në Hollandë, vijmë marrim një koncension dhjetëra miliona euro pa pasur lekë, shteti na jep paratë, ne marrim nënkontraktorët, futim fitimin në xhep, nxjerrim para në të zezë për të blerë e korruptuar kë të mundemi përfshirë këtu dhe mediat dhe vazhdojmë jetën të qetë.
Por skema duket se tashmë ka dështuar, SPAK ka hapur kapakun e pusetës, por kemi parë ende majën e ajsbergut pasi ai është i zhytur ende shumë thellë në det./ CNA