Dy efektivë policie në Shëngjin janë pezulluar nga puna dhe ka nisur hetim administrativ ndaj tyre pasi u filmuan duke marrë ryshfet nga një drejtues gjatë ndalimit të automjeteve.
Pas publikimit të videos në rrjetet sociale, policia i identifikoi dhe akuzohen për shkelje të rëndë të procedurës standarde të punës.
“Në lidhje me një video të publikuar në portalin “JOQ”, në të cilën shfaqen 2 punonjës policie të filmuar nga një qytetar, të cilët dyshohet se gjatë ndalimit të automjeteve, mund të kenë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, vlera monetare, ju sqarojmë se:
Menjëherë pas publikimit të kësaj video-je, është bërë identifikimi i 2 punonjësve të Policisë që shfaqen në të, konkretisht inspektor A. Ç. dhe inspektor K. Ll., punonjës të Patrullës së Përgjithshme të Stacionit të Policisë Shëngjin/Komisariati i Policisë Lezhë.
Të dy këta punonjës policie janë pezulluar menjëherë nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe ndaj tyre Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetim administrativ, për shkelje të rëndë të procedurës standarde të punës”, thuhet në reagimin e policisë së Lezhës.