Nga Erion Dasho:
Borati dhe boratët nuk njohin më kufij! Para pak muajsh BE ndaloi fondet e bujqësisë nën dyshimet për abuzime dhe keqpërdorime.
Fjala “dyshim” në fakt mund të jetë e tepërt kur lexon në rrjetet sociale se fermerë të ndershëm nuk kanë marrë asnjë mbështetje nga qeveria, ndërkohë që fondet shkojnë në drejtime të ditura (tek klientët e qeverisë) dhe me synime të ditura (për të ushqyer korrupsionin qeveritar).
Të njëjtin fat rrezikojnë me sa duket fondet e Bankës Botërore për shëndetësinë. Tendera që përfundojnë vetëm me një ofertues, pasi duken të sajuar enkas për fitues të paracaktuar. Tendera që bëhen në gusht, duke shpresuar që humbësit të jenë me pushime dhe të humbasin afatin për ankimim.
Nëse deri para disa vitesh ishin në modë ofertat fiktive, ku dy “konkurrentë” paraqisnin një ofertë me gabime skandaloze sa për të plotësuar numrin, me sa duket tani edhe kjo “bezdi” po i duket e tepërt oligarkëve të shëndetësisë.
Thonë se zullumi këputet duke u trashur, po shqiptarëve aq shumë u është trashur lëkura sa durojnë tashmë çdo zullum të Boratit, si dhe të balerinave dhe klarinetistëve të shëndetësisë…