Vullkani Etna, më aktivi në Evropë, shpërtheu mbrëmjen e së dielës, me pamjen e regjistruar nga një aparat fotografik.
Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë të Italisë (INGV), ekziston rreziku i rrjedhjes së llavës nga një shpat në jug të kraterit.
Me një lartësi prej 3324 metrash, Etna është vullkani më i lartë aktiv në Evropë. Ai ka shpërthyer në mënyrë të përsëritur gjatë 500,000 viteve të fundit.
Kompania që menaxhon aeroportin e Katanias në Siçili njoftoi mëngjesin e sotëm se të gjitha fluturimet e mëngjesit, të cilat do të niseshin ose do të uleshin në aeroportin në fjalë, anulohen për shkak të shpërthimit të vullkanit, pasi hiri mbulon hapësirën ajrore të zonës.
Vitin e kaluar, rreth 10 milionë pasagjerë kaluan përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Katanias, i cili i shërben pjesës lindore të Siçilisë, një nga destinacionet turistike më të njohura të Italisë.