Kryedemokrati Sali Berisha nga tryeza e debatit “Pushteti i Krimit”, foli për arrestimin e biznesmenit Pëllumb Gjoka. Ai tha se kryeministri Edi Rama darkonte në hotelin e Pëllumb Gjokës dhe për shpërblim i shpallte hotelin si ‘hotel me 5 yje’. Sakaq i bëri thirrje shoqërisë shqiptare dhe opozitës për të reaguar, pasi vota po shndërrohet në krim dhe krimi po kthehet në votë.
“Shoqëria shqiptare ndodhet në prag të një vetëvrasje për shkak të krimit. Sot vendimmarrësi absolut në distancë në këtë vend është krimi, krimi dhe krimi.
Krimi sot i lartësuar në pushtet në nivel kryeministri është i aftë të kalojë në parlament çdo ligj. Është i aftë të marrë në qeveri çdo vendim, është i aftë të përcaktojë çdo tender, është i aftë të përcaktojë çdo emërim, është i aftë të nxjerrë çdo leje dhe licencë, është i aftë të eliminojë çdo kundërshtar.
Sot shqiptarët si kurrë në historinë e tyre që kur është themeluar shteti, ekonomia e tyre, fati i tyre është i tëri në duart e krimit.
Rezultat e regjistrimeve të SKY dhe encrochat etj kanë bërë autopsinë e këtij krimi, por ajo ka qenë e njohur për ne.
Nese marrim Pëllumb Gjokën, kanë ditur që vrau për të marrë 300 metër katror tokë në Velipojë, shkelmoi vendimet e gjykatave për të marrë pronat. E kanë ditur që një hotel që Rama darkonte me të, ta shpallet hotel me 5 yje. Shqiptarët i kanë denoncuar dhe nuk kanë heshtur. Pëllumb Gjoka, nuk është më i madhi, por Rama ka njerëz më të fortë dhe fuqishëm se ai, dhe vetë është në krye. Gjoka merr titullin dhe emrin e investitorit strategjik. Shoqëria shqiptare duhet të reagojë, opozita po ashtu, pasi është në rreth fatal ku vota shndërrohet në krim dhe krimi në votë. Nuk ka për një komb hanxhar mbi qafën e tij më të rrezikshëm se këtë hanxhar”, u shpreh Berisha.