Ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj përdori në studimin e fizibilitetit të dhënat e kompanisë që fitoi koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 mln euro, duke i pasqyruar si mendim të shefave të shërbimeve të kirurgjisë.
SPAK thotë se një fakt të tillë e zbuloi përmes këqyrjes së e-mailit të doktor Orion Gliozhenit, i cili gjatë marrjes në pyetje deklaroi se listën me setet kirurgjikale ia kishte dërguar sekretarja e tij e cila e ka marrë nga sekretarja e zv.ministrit Klodian Rjepaj, shkruan BalkanWeb.
Sipas Prokurorisë së Posaçme nga verifikimet e komunikimeve me e-mail rezultoi se e-maili ishte nisur nga Rjepaj të sekretarja e tij dhe kjo e fundit e ka shpërndarë për shefat e shërbimit të kirurgjisë me shënimin se është porosi e zv.ministrit.
“Nga këqyrja e e-mailit të doktor Orion Gliozhenit në disa sete kirurgjikale kur printohen gjendet e stampuar “Steritalia SPA” që nga të dhëna hetimore rezulton të jetë një kompani italiane e krijuar dhe administruar nga Umbro Staccini.
Pra, lista e instrumenteve kirurgjikale dhe setet kirurgjikale që Klodian Rjepaj i ka dërguar shefave të shërbimit të Kirurgjisë dhe më pas shtojcë të dokumenteve standarde të koncesionit vërehet se janë të Steritalia SPA.
Kjo kompani ka qenë në pronësinë dhe administrimin e Umbro Staccinit i cili është njëkohësisht edhe pronar i Tecnostanimed SRL që është edhe kompania përbërëse e bashkimit të operatorëve ekonomikë fitues të koncesionit”, thekson prokuroria.
Në dosje sqarohet se tej se Klodian Rjepaj iu ka servirur shefave të shërbimit pikërisht materialet që i ka vënë në dispozicion Umbro Stavvini dhe këta të fundit duke u mbështetur në këtë material t’i kthenit përgjigje atij, në cilësinë e zv.ministrit të Shëndetësisë për ta pasqyruar më pas në dokumentin “Studim i fizibilitetit” si mendim i shefave të shërbimit”.
“Këto të dhëna – thekson SPAK – tregojnë njohjen e Klodian Rjepaj me Umbro Staccinin dhe përfshirjen e pronarëve të kompanisë të koncesionit të Saniservice gjatë gjithë procesit përgatitor të studimit të fizibilitetit”.
Në dosjen e SPAK thuhet gjithashtu se ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishte në dijeni të marrëdhënies së ngushtë mes ish zv.ministrit Klodian Rjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, si dhe përfshirjen e këtij të fundit në periudhën parapërgatitore të studimit të fizibilitetit që i japi rrugës dhënies së koncesionit kompanisë Sani Service.