Aplikimet për azil në qershor në BE ishin më të ulëtat që nga kufizimet e pandemisë, por nuk ndalen në Britani

0
137

Aplikimet e shtetasve shqiptarë për azil në vendet e Bashkimit Europian kanë shënuar një tendencë të fortë rënëse në gjysmën e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, në qershor u regjistruan 475 aplikime për azil nga shtetasit shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, që është shifra më e ulët e regjistruar nga maji i vitit 2021, kur vendi ende po vuante kufizimet e lëvizjes si rrjedhojë e pandemisë.

foto galeri

Për gjithë 6 mujorin, aplikimet për azil arritën në 3,535, shifër që është 28% më e ulët në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në 2022, pas heqjes së kufizimeve nga pandemia u konstatua një rritje e ndjeshme e aplikimeve për azil, sidomos në gjysmën e dytë të vitit.

Sipas të dhënave të detajuara, Franca dhe Gjermania vijojnë të mbeten destinacionet kryesore ku shkojnë azilantët, me përkatësisht 38% dhe 24% të totalit të aplikimeve.

 

Mbretëria e Bashkuar kishte aplikime për azil sa gjysma e gjithë BE-së

 

Ndërsa në vendet e BE-së aplikimet janë me rënie, Mbretëria e Bashkuar vijon të jetë një destinacion i preferuar për ata që duan të ikin, ndonëse me ritme më të ulëta në raport me një viti më parë.

Të dhënat e tjera nga Home Office të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, të përpunuara nga Monitor bëjnë të ditur se në tremujorin e parë të 2023 u shënuan gjithsej nga shtetasit shqiptarë rreth 1036 kërkesa të reja për azil në Mbretërinë e Bashkuar.

Për krahasim, në gjithë vendet e BE-së për të njëjtën periudhë të tremujorin të parë kishte gjithsej rreth 2 mijë aplikime. Si rrjedhojë vetëm Mbretëria e Bashkuar regjistroi një shifër që është sa gjysma e gjithë aplikimeve që u bënë në të gjitha shtetet e Bashkimit Europian. Për të njëjtën periudhë Gjermania mori 465 aplikime dhe Franca 765.

Të dhënat e mëparshme të publikuara nga Zyra e Statistikave të Emigracionit, Mbretëria e Bashkuar dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se numri i aplikimeve për azil gjithsej nga shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022 ishte 15,925./Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here