Zëdhënësja e PD Genta Vangjeli ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka folur për koncesionin e sterelizimit të pajisjeve mjekësore. Ajo deklaroi se lidhur me këtë aferë qindra milionë euro të planifikuara për t`u shpenzuar për të mirën publike nëpërmjet këtyre koncensioneve përfunduan në xhepat e Beqjes, kompanive të tij dhe arkat e PS për vjedhjen e zgjedhjeve.
Gjithashtu i bëri thirrje SPAK të mos rrijë duarkryq, por të shtojë të dhënat e paraqitura në dosjen e Ilir Beqajt, të cilën Edi Rama po bën çmos ta mbyllë.
Deklarata e plotë:
Dora e gjatë e Ilir Beqjes qëndron pas disa aferave, koncensioneve dhe tenderave, paratë e të cilave kanë përfunduar në xhepat e tij.
Më famëzezat janë koncesioni i sterilizimit të pajisjeve mjekësore;
Koncesioni për paketën e shërbimeve të kontrollit mjekësor bazë për grupmoshat 40-65 vjeç;
Koncesioni për shërbimin e Hemodializës;
Koncesioni për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës;
Qindra milion euro të planifikuara për t`u shpenzuar për të mirën publike nëpërmjet këtyre koncensioneve përfunduan në xhepat e Beqjes, kompanive të tij dhe arkat e PS për vjedhjen e zgjedhjeve.
Në vijim do të bëjmë një pasqyrë të disa miliona eurove të tjera të përfituara nga Ilir Beqja, emri i të cilit qëndron pas koncesioneve të mësipërme…
Më datë 29 Gusht 2013, me anë të kontratës së shitjes së kuotave, Ilir Beqaj shet 51% te kapitalit në favor të Intech + shpk, shoqëria e krijuar në 2001, ku Beqaj ishte njëri prej dy ortakëve themelues,
Pas largimit ‘me letra’ të Ilir Beqjes nga kjo kompani, çuditërisht Intech + shpk shumëfishon të ardhurat- Ditët më të mira i pa në periudhën kur Beqja mbante detyrën e Ministrit të Shëndetësisë 2013 – 2017.
Le të shkojmë sipas parimit folloë the money- ‘ndiq paratë- për të gjetur të vërtetën….
INETCH + gjatë periudhës 2019-2023, përfitoi 4 miliard lekë prej 312 transaksioneve nga AKSHI + Drejtoria e Mbikqyrjes së shërbimit të provës + Aparati i MF.
INETCH + gjatë periudhës 2015 -2018, përfitoi 5.4 miliard lekë, prej 248 transaksioneve nga AKSHI dhe Aparati i MF.
INETCH + gjatë vitit 2014 përfitoi 705 milion lekë prej 6 transaksioneve nga AKSHI + Bashkia Durrës.
Totali 10 miliard lekë.
Autoriteti kontraktor kryesor, i cili lidhi kontrata të panumërta, madje edhe të klasifikuara me Intech+, është Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së informacionit, dhe Aparati i MFE. Por nuk është vetëm AKSHI dhe MF që paguan kompaninë Intech + shpk, por edhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës dhe institucione të cilat nuk kalojnë pagesat e tyre nga Thesari i Shtetit.
Gjatë këtij viti, nga data 10 janar deri 10 Gusht 2023, Intech + ka përfituar nga AKSHI 44 transaksione me vlerë totale 841 milion lekë. 20 nga këto pagesa, pra pothuaj gjysmën, nga data 7 deri 10 gusht 2023, pra për 3 ditë, me vlerë totale 469 milion lekë.
Specifikisht, në muajin Gusht 2023, AKSHI i “shqetësuar” për Ilir Beqjan i cili ka patur vizita në SPAK këto ditë, nxitoi të likujdojë për 3 ditë rresht 20 transaksione me vlerë 469 milion lekë në favor të Intech + shpk për kontratat si më poshtë vijon:
Kontrata Nr. 6311, për Mirëmbajtjen e Sistemit të Arkivës Digjitale dhe Sistemit Financiar të Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit: vlera 19 milion lekë
Likujdim Fature Nr.96/, Likujdim Fature Nr.77 dhe Likujdim Fature Nr.64 vlera totale 144 milion lekë;
Fatura nr 254, Fatura nr 204, Fatura nr 230/2022, Fatura nr 180, me vlerë totale 76 milion lekë;
12 Transaksione të ndryshme për Kontratën Nr. 6311për mirëmbajtje të Sistemit të Arkivës Digjitale dhe Sistemit Financiar të Arkivit Qendror Teknik të Ndërtimit, me vlerë totale 229 milion lekë;
PSE ky nxitim i AKSHIT për të paguar brenda këtyre 3 ditëve 20 fatura të INTECH + me vlerë pothuaj gjysëm milion euro?!
A ka lidhje kjo me paraqitjen e Beqajt në SPAK po këto ditë….
A do të ndërgjegjësohen ndonjëherë pushtetarët tanë që të kuptojnë se janë në detyra shtetërore në cilësinë e shërbyesit të qytetarëve, dhe jo në cilësinë e përfituesit prej tyre…. Apo do të vazhdojnë të konsiderojnë paratë publike si trashëgimi personale?
Këto janë pyetje retorike, sepse ata që firmosin fap e fap edhe vjedhin faq e fap.
SPAK nuk duhet të rrijë duarkryq, por të shtojë edhe këto të dhëna në dosjen e Ilir Beqajt, të cilën Edi Rama po bën çmos ta mbyllë. Si duke bërë takime të fshehta, ashtu dhe duke treguar haptas përralla me kuçedrën e mrekullive të piarit, që ka hapur puset e arit të zi në Shpirag, për të shpëtuar Beqjen dhe të gjithë ata që po i pi e zeza.