Numërimi mbrapsht për ndryshimet në qeveri nisi kur kryeministri Rama e shuajti kureshtjen e gazetarëve disa ditë më parë dhe tha: “Duhet të prisni edhe pak ditë sapo të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS”.
Pas këtyre fjalëve në qeveri ka ankth. Jo thjesht për mënyrën okulte me të cilën Rama i merr vendimet e tij për zëvëndësimet, as për humbjen e privilegjeve që vijnë bashkë me postin ministror, por edhe se të jesh një “ish” i qeverinë e Ramës të bën automatikisht ushqim për statistikat e drejtësisë së re.
Mandat-arrestet për “ish”-at nuk janë pak. Që nga ish-ministri Saimir Tahiri, ish-ministri Lefter Koka, te ish-deputeti Alqi Bllako, te ish-kryetari i bashkisë Vangjush Dako apo te ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj. Në hetim është edhe ish-ministri Ilir Beqaj apo ish-ministri Shkëlqim Cani.
Prandaj dhe fjalimi i Ramës në asamblenë e 4 Shtatorit pritet me ankth. Pavarësisht paralajmërimeve se PS nuk do t’u bëhet zyrë avokatie, skandalet nuk kanë munguar.
Ndër më të bujshmit është ndërprerja e fondeve IPARD nga Bashkimi Europian, që ministrja e Bujqësisë Frida Krifca tentoi ta kalojë si një procedurë normale. Në anën tjetër, një muaj më parë, ministrja e financave Delina Ibrahimaj provoi shijen e hidhur të shkarkimit për disa orë, por duket se kryeministri pati një tërheqje të beftë.
Ankthin e ndryshimeve në qeveri e shton edhe misteri në prapaskenat ku Rama merr vendimet. Pa asnjë diskutim, pa asnjë konsultim paraprak dhe pa asnjë logjikë të përshtatur sipas prioriteteve
Si ata që shkarkohen, edhe ata që emërohen e mësojnë lajmin gjatë fjalimit të Ramës në asamble. Ndonjëherë edhe nga televizori. I tillë ishte rasti i ish-ministrit Bledi Çuçi që u njoftua se ishte emëruar Ministër i Brendshëm në vitin 2020, teksa ishte brenda një sere me domate bashkë me ambasadorin e BE-së Luigi Soreka në Lushnje. Edhe shkarkimin nga detyram Çuçi e mësoi pa paralajmërim nga Tëitteri i shefit të tij.
Disa vite më parë, kur Elisa Spiropali u emërua ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin, ajo tregoi se emërimi i saj ishte totalisht surprizë, pasi nuk ishte në dijeni për lëvizjen e kryeministrit.
“Nuk e dija as unë as persona të tjerë besoj. Mund të quhet një diskrecion i kryeministrit pasi është konsultuar me shumë, emrat i vendosi Rama. Kur ju më telefonuat unë isha në makinë duke shkuar në Asamble nuk e kisha këtë dijeni” u përgjigj Spiropali.
Shkarkimet dhe emërimet në errësirë janë një traditë tashmë. Pas protestave të studentëve në dhjetor të vitit 2018, Lindita Nikolla tregoi se kishte dorëzuar dorëheqjen tek kryeministri Rama, por ky nuk ia pranoi për ta shkarkuar vetë disa ditë më pas. “Pse nuk pranoi Rama dorëheqjen time? Këtë pyetje mund t’ja bëni kryeministrit” tregoi më vonë Lindita Nikolla.
Vetë Rama e ka pranuar që nuk pranon refuzim nga vartësit e tij, ditën kur i cakton ministra pa i pyetur dhe pa i konsultuar më parë.
“Nuk mund të thonë “Jo s’du”. Ky nuk është restorant” tha ai kur u pyet për krijimin e qeverisë fill pasi kishte marrë mandatin e tretë për të qeverisur./Lapsi.al