Drejtuesi i departamentit të bujqësisë në PD, Hasan Cani ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka komentuar pezullimin e fondeve nga KE për Shqipërinë, vendim ky të cilin Krifca e komentoi si procedurë administrative normale. Cani zbulon për mediat se deklarata e Krifcës rezulton e pavërtetë, pasi vetë KE ka konfirmuar se nuk ka marrë ndonjë masë të ngjashme me vende të tjera, veç Shqipërisë dhe e vërteta fshihet nga qeveria ndërsa dosjet në prokurori flenë në sirtar.
Deklarata e Plotë:
Më 14 korrik, Komisioni Europian informoi qeverinë shqiptare se kishte pezulluar grantet për bujqësinë nga programi IPARD, për shkak të dyshimeve për korrupsion. Këtë fakt ministrja e Bujqësisë, Krifca e komentoi si procedurë administrative normale. Ajo tha se parregullsi apo shpërdorime të ngjashme me fondet IPARD janë gjetur edhe në vende si Gjermania, Franca apo Holanda.
Faktoje.al, një media që merret me fact checking, pas verifikimeve, ka gjetur se deklarata e Krifcës rezulton e pavërtetë, pasi vetë Komisioni Evropian konfirmon se nuk ka marrë ndonjë masë të ngjashme me vende të tjera, veç Shqipërisë.
Nëse Komisioni Europian ka reaguar, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Agjencinë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural dhe Ministrinë e Bujqësisë qe nuk i janë përgjigjur kërkesave për informacion.
Problemet e ABZHR me fondet europiane nuk janë të reja. Tre vite më parë, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) angazhoi edhe prokurorinë shqiptare për hetim të fondeve të AZHBR. Çështja për programin IPARD II u regjistrua fillimisht në SPAK, i cili dy vite më vonë shpalli moskompetencë. Dosja tani fle në Prokurorinë e Tiranës.
Siç e shihni, ka një vullnet për të fshehur të vërtetën nga qeveria dhe për të mos e hetuar korrupsionin nga Prokuroria.
Kjo nuk është gjë e re për shqiptarët, por koston e vjedhjeve të qeverisë e mbajnë ata mbi shpinë.
Vetëm korrupsioni me fondet e bujqësisë do të thotë 146 milion euro me pak në grante për fermerin shqiptar. KE u detyrua të ndërpresë grantet dhe të nisë vetë hetimet për shkak se organet shqiptare të drejtësisë e përcjellin nga sirtari në sirtar dosjen e abuzimeve.
Përfundimi i SPAK se nuk ka gjetur elementë të veprës penale për fondet IPARD duhet t’i bëjë me turp prokurorët specialë pas vendimit të KE për të ndërprerë fondet dhe hetuar vetë.