Pa punonjës dhe pa zyra/ Kompania fantazmë e Ilir Rrapajt që përfitoi nga koncesioni i sterilizimit

Kompania “Investital LLC”, e përfshirë në koncesionin e sterilizimit, nuk ka pasur një historik të sajin, para se të përfitonte nga kontrata disa miliona eurosh.

Në dosjen hetimore të SPAK, të siguruar nga CNA nënvizohet se themelues i “Investital LLC”, është Ilir Rrapaj, i cili ka regjistruar këtë subjekt një muaj para se të ngrihej komisioni i dhënies se koncesionit, me një kapital vetëm prej 1000 euro.

Por, nuk duhet anashkaluar fakti që kjo kompani në vitin 2014 nuk ka pasur deklarime dhe as takim të paguar në shtet. Ndërkohë merrte pjesë në garën për koncesionin e sterilizimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga viti 2015 deri në vitin 2020, “Investital LLC”, ka pasur të deklaruar si punonjës vetëm themelues Ilir Rrapajn, me pagë 2 mijë euro në muaj.

Një detaj tjetër shumë i rëndësishëm është që “Investital LLC” nuk ka pasur një objekt apo zyra për të kryer aktivitetin e saj.

“Zyrtarët e ATK-së kishin pasur takim me përfaqësuesin e subjektit Z. Sylë Zenelaj dhe nga ai ishin informuar se biznesi kryen shërbime për subjektet jashtë shtetit të Kosovës, në bazë të faturave shitëse të prezantuara nga tatimpaguesi ishte vërejtur se subjekti në fjalë ka pasur transaksione me subjektet në Shqipëri dhe Itali.

Subjekti në fjalë sa i përket qirasë kishte deklaruar nga viti 2015-2020 në vlerë prej 50 euro në muaj, tatimi për qiranë ishte 4.50 euro në muaj, po ashtu sipas informatave nga përfaqësuesi i biznesit, biznesi “Investital LLC” nuk kishte objekt ku kryente veprimtarinë, por dokumentacioni mbahej në zyrën ku i kryen kontabilitetin e biznesit. Sa u përket deklarimeve Subjekti (Biznesi) “Investital” L.L.C në vitin 2014 nuk kishte fare deklarime e as tatim të paguar, kurse nga viti 2015-2020 kishte deklaruar qarkullim dhe kishte tatim të paguar. Sa i përket punëtorëve të deklaruar, subjekti kishte të deklaruar vetëm një punëtor nga viti 2015-2020, i cili ishte Ilir Rrapaj me pagë mujore 200.00 euro në muaj e që i njëjti ishte edhe themelues i subjektit.”, thuhet në dosjen e SPAK.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko