6 mijë raste të reja me kancer numërohen çdo vit në vendin tonë. Janë më dhjetëra pacientët që drejtohen çdo ditë në dyert e spitalit onkologjik, disa prej tyre madje nuk marrin as zgjidhje. Leonardi është një prej familjarëve të shumtë që presin pas dyerve të spitalit, me shpresën se të afërmit e tyre do të shërohen. Ai rrëfen për Euronews se motra e tij 38-vjeçare, e prekur nga kanceri në pankreas, po sorollatet në pritje të ndërhyrjes.
“Kam dy muaj, kam motrën të sëmurë dhe po më sorollatin nga një spital në tjetrin, e bëjmë sot operacion e bëjmë nesër. Çdo ditë vetëm gënjeshtra, motra është 38 vjeçe në gjendje shumë të rëndë….Çdo ditë na përcjellin, s’është i narkozës, s’është gati analiza, s’është kjo, s’është kjo…”, tregon ai. Mungesat në të vetmin spital onkologjik në vend janë të shumta, e për pasojë pacientët detyrohen të blejnë me para jo vetëm medikamente, por edhe pajisje.
“Medikamentet mungojnë, 500 mijë lekë e mora një aparaturë të vogël tani”, thotë ai. Vetëm pak ditë më parë një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxori në pah se në spitalin onkologjik, ku marrin shërbim të gjithë pacientët e prekur nga kanceri, ka mungesa në aparatura, staf mjekësor dhe pamjaftueshmëri të kapaciteteve. E njëjta situatë pohohet edhe nga pacientët dhe të afërmit e tyre, që fati i ka çuar në dyert e spitalit, në luftë me këto sëmundje vdekjeprurëse. Bazuar në të dhënat zyrtare, sëmundjet tumorale mbeten shkaku i dytë më i shpeshtë i fataliteteve, duke shkaktuar rreth 16% të vdekjeve çdo vit.