Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, ka shprehur mbështetjen e tij dhe vlerësimin më të madh për takimin e 43 deputetëve të PD-së sot në tryezë të përbashkët duke lënë menjanë ato që i kanë ndarë deri më sot.
Këlliçi ka publikuar një fotografi të takimit të mbajtur sot me këtë shënim:
“Kjo është pikërisht fotoja, e cila e shqetëson më shumë se kurrë sot qeverinë e Edi Ramës dhe pronarin e inceneratorit të Tiranës, që pret dita ditës thirrjen e rradhës në SPAK, Erion Veliajn.
Bashkimi i 43 deputetëve opozitarë në një aksion të përbashkët politik parlamentar, është një hap i parë shumë i mirë drejt ringritjes së opozitës dhe vetë Partisë Demokratike.
Detyra jonë është largimi një orë e më parë i kësaj qeverie dhe takimi i sotëm i shërben më së miri këtij qëllimi.
Uroj që të vazhdohet me këtë frymë, pasi i detyrohemi shumë, në radhë të parë demokratëve që kanë 10 vite betejë me qeverinë më të korruptuar në Europë dhe pa asnjë mëdyshje qytetarëve të këtij vendi, që ende ëndërrojnë e shpresojnë për një Shqipëri normale, ku secili i bën vend vetes me mund e djersën e ballit,” nënvizon Këlliçi.
Belind Këlliçi është anëtar i Kryesisë së PD, ish-deputet i PD, kandidati i opozitës për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.