Arrestimi i Bajrit/ Noka: E bënë francezët. Policia shqiptare truprojë e killerave

0
129

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka ka përgënjeshtruar deklaratën e Policisë së Shtetit në lidhje me arrestimin e Behat Bajrit. Në deklaratën e bërë nga selia blu, Noka theksoi se arrestimi u bë nga policia franceze në Strasburg ndërkohë që policia shqiptare njoftoi se u kap në Paris, francezët thonë në lokal, tanët në banesë.

Sipas Nokës, policia shqiptare nuk ka qenë dhe as ka dashur që Bajri të kapet, sepse arrestimi i tij do të thotë dalja e informacioneve të tjera anti-ligjore ku janë përfshirë policë, shefa policie dhe drejtues të shtetit.

DEKLARATË PËR MEDIA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD, FLAMUR NOKA

Arrestimi nga policia franceze i killerit me pagesë Behar Bajri është një lajm i mirë për Shkodrën dhe sigurinë e qytetarëve të saj.

Partia Demokratike përgëzon shërbimet e sigurisë dhe rendit të Francës për arrestimin e një prej rrezikuesve më të mëdhenj të sigurisë, jetës dhe qetësisë në Shqipëri, i përfshirë në krime kundër personit dhe në krime zgjedhore.

Opinionit publik i kujtojmë se pa shërbimet e sigurisë apo të inteligjencës së vendeve partnere nuk do të kishte ndodhur ky arrestim, dhe as shumë të tjerë para tij. Kriminelët dhe zyrtarët e lartë të inkriminuar që gjenden pas hekurave sot janë punë e prokurorive dhe policive belge, austriake, italiane, franceze apo gjermane.

Që nga dosja e Saimir Tahirit e këtej, çdo zhvillim domethënës në kapjen e elementëve të inkriminuar ka vulën dhe vullnetin e vendeve partnere.

Policia jonë, fatkeqësisht është kthyer në shërbëtore të krimit, në korrier dhe truprojë e killerave. Prokuroria zhduk provat, ndërsa gjykata i liron. Behar Bajri i arrestuar nga francezët është shembulli më tipik i rënies së shtetit përballë krimit, i bashkëpunimit të pushtetit me kriminelet.

Kur sheh dhe lexon komunikatën e Policisë së Shtetit, ku del se operacioni për kapjen e tij ishte një ndërmarrje shqiptaro-franceze, e kupton se sa poshtë e ka ulur Taulant Balla prestigjin dhe uniformën e ruajtësve të rendit.

Është dy herë fyese për publikun që nuk ka harruar dhe e ka parë në dosjen ‘Metamorfoza’ se si shefa komisariatesh apo nëndrejtorë policie, shërbenin si spiunë të Bajrëve dhe Pëllumb Gjokës. Ndërkohë që kapitujt e dosjes po zbardhen një e nga një, dhe ngjarja është ende e freskët, Policia del e thotë se e kapën ata Bajrin.

Nga shqiptarët nuk u vjen turp, por as edhe nga kolegët e tyre francezë apo nga ambasada e Francës këtu.

Policia franceze thotë se e kanë kapur Bajrin në Strasburg, policia shqiptare thotë se u kap në Paris. Francezët thonë në lokal, tanët në banesë.

Po të kishin qenë të përfshirë në operacion, siç pretendojnë, të paktën do të dinin vendin ku u kap Bajri.

Nuk kanë qenë dhe as kanë dashur që Bajri të kapet, sepse arrestimi i tij do të thotë dalja e informacioneve të tjera anti-ligjore ku janë përfshirë policë, shefa policie dhe drejtues të shtetit.

Meqë francezët e paketuan Bajrin, Policia, Prokuroria dhe gjykatat kanë vetëm një detyrë: të mos e përcjellin sërish, siç e kanë zakon.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here