Çmimet e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rënie të ndjeshme në 8-mujorin e këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të vitit që shkoi. Sipas të dhënave nga Bursa e Hungarisë, në periudhën janar – gusht çmimi mesatar arriti në rreth 112 euro/mWh, një vlerë ndjeshëm më e ulët se viti që shkoi, ku për të njëtën periudhë çmimi mesatar përlogaritet në 273 euro/mWh.Rënia e çmimeve reflektohet në ndikime pozitive për Korporatën Elektorenergjetike Shqiptare në rast të importeve të energjisë, duke shpenzuar për pak para’ për sigurimin e energjisë. Por, nga ana tjetër në kushtet kur ky çmim ka shënuar rënie të ndjeshme, mbetet e paqartë nëse do të vijojë të mblidhet taksa e jashtëzakonshme e vendosur për prodhuesit e mëdhenj të energjisë. Kjo pasi, sipas përcaktimeve ligjore, aplikimi i kësaj takse do të bëhet vetëm nëse në vitin përkatës çmimi mesatar i shitjes së energjisë në bursën hungareze është mbi 180 Euro/mWh.
Në fakt, vetë qeveria ka pranuar se përgjatë vitit 2023 janë rreth 4 mld lekë të mbledhura nga kjo taksë, ndonëse të dhënat zyrtare tregojnë se çmimi në bursën hungareze ka qenë nën 180 Euro/mWh. Ligji, që parashikon taksimin shtesë të të ardhurave të realizuara nga shitja e energjisë në tregun e liberalizuar, u miratua në senacën e datës 22 dhjetor 2022, ndërkohë që efektet e tij do të shtrihen përgjatë një periudhe 2-vjeçare e më konkretisht deri në vitin 2024. Qeveria e ka quajtur taksën kontribiut solidariteti të detyrueshëm, teksa masa e tij llogaritet mbi të ardhurat shtesë të krijuara nga shitja në treg të lirë e energjisë elektrike të prodhuar me çmim më të lartë se 8.5 lekë/kWh, raporton SCAN TV.
Një muaj më parë, qeveria iu rikthye planeve për vendosjen e fashave të energjisë, duke parashikuar rritje për një kategori abonentësh brenda këtij viti. Kjo përcaktohet në Dokumentin e Politikave Prioritare 2024 -2026, ku ndër të tjera specifikohet se në buxhetin 2023 është parashikuar mbështetja e sektorit energjetik me 12 miliardë lekë, duke ruajtur të pandryshuar çmimin për konsumatorët familjarë brenda një fashe të caktuar, në përputhje me kushtet dhe gjendjen financiare të kompanive prodhuese.
Dokumenti nuk jep specifikime të mëtejshme mbi fashën që do të vendoset dhe cili është niveli i konsumit, ku do të nisë aplikimi i saj me çmime të rritura.
Gjatë përpjekjeve për rritje, vitin që shkoi fillimisht u deklarua se shtrenjtimi i çmimit do të niste nga ato familje që konsumonin mbi 700 kWh/muaj, ndërsa më pas niveli u synua të niste nga 800 kWh/muaj. Nëse ky nivel do aplikohej rritja e çmimit të energjisë elektrike do prekte të gjitha ato familje, që paguanin mbi 9 220 lekë në muaj. Numri i tyre përllogaritej në rreth 48 500.
Tarifimi me fasha dhe shtrenjtimi i energjisë shumë familje u argumenta vitin që shkoi me krizën energjetike dhe shpenzimet e larta për blerje energjie, por viti 2023 ka qenë tejet i favorshëm në këtë drejtim, duke qenë se prodhimi nga Kaskada e Drinit ka mundur të plotësojë nevojat konsumatore, teksa gjeneruesi publik KESH, shiti energji deri në fund të qershorit, duke siguruar të ardhura. Importet nisën në korrik, teksa çmimet me të cilat është siguruar energjia kanë qenë ndjeshëm më të ulta se vjet, duke iu afruar nivelit të parakrizës.