Policia e Peqinit ka finalizuar operacioni policor të koduar “Brothers”, në kuadër të të cilit kanë rënë në pranga Alberto Bicerri alias Genci Meta 46 vjeç dhe Bledar Meta, 43 vjeç (vëllezër).
Sipas bluve, dy vëllezërve u janë gjetur në banesë të fshehura në 4 çanta, 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri revolver, dhe 1 armë gjahu.
Njoftimi i policisë:
Operacioni, rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, të ndjekura përmes një hetimi me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.
Vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër) që i kishin fshehur këto armë, në katër çanta në banesën e tyre.
Në vijim të punës së pandërprerë në terren, për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve që posedojnë armë, pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin kanë siguruar informacion se 2 vëllezër posedonin një arsenal armësh zjarri, në banesën e tyre, në lagjen “Teqe”.
Bazuar në këto informacione, është ndjekur një hetim disaditor, me metoda speciale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, si rezultat i të cilit, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin dhe ato të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, u finalizua operacioni policor i koduar “Brothers”. Në kuadër të këtij operacioni, u ushtruan kontrolle në banesën e 2 vëllezërve dhe në territorin përreth saj.