Në kuadër të masave të ndërmarra për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Poloni, dhe për parandalimin e futjes së sendeve të kundërligjshme në stadiumin “Air Albania”, shërbimet e Policisë, mesditën e sotme, gjatë kontrolleve të ushtuara, kanë konstatuar se grupe tifozësh kanë tentuar që mes flamujve dhe banderolave që shërbejnë për dekor, të futin në stadium, një numër të konsiderueshëm flakadanësh, kapsollash dhe lëndësh të tjera piroteknike, të cilat janë sekuestruar nga shërbimet e Policisë.
Për këto raste, Policia ka marrë masa për shoqërimin në Komisariat, të shtetasve përgjegjës, si dhe për çdo rast tjetër që do të konstatohet gjatë kësaj kohe, do të merren masa për shoqërimin dhe procedimin penal të shtetasve përgjegjës.