Kryetari i PD Sali Berisha në një prononcim të mbajtur për media denoncoi sot para Parlamentit lidhjet me korrupsionin dhe krimin të ministrave të rinj.
Berisha deklaroi sot se Taulant Balla ka të paktën dy telefona të kriptuar me të cilët komunikon me lidhjet që ka me krimin e organizuar në Belgjikë dhe Holandë.
Ai i cilësoi të gjitha ndryshimet e qeverisë të lidhura me krimin.
Gjithashtu theksoi në vend të Xhaçkës do të emërohej Spiropali, por dalja e një videoje ku shfaqej në mbledhje me Bajrët dhe Pëllumb Gjokën i prishi planet.
DEKLARATA E PLOTË:
Kjo seancë ishte tipike me një sesion që mund të zhvillohet në shpellat e thella, apo bodrumet e mafies. Kjo shëmbëllente me një takim të mafiozëve në të gjitha aspektet. Le t’i marrim pak me rradhë.
Të gjitha ndryshimet e qeverisë kishin diktat krimin dhe vetëm krimin. Largohet Olta Xhaçka, e cila e pasi bëri burrin investitor strategjik në shkelmim të Kushtetutës, u vërsul e papërmbajtur drejt pronave të ushtrisë dhe nuk ka lënë pronë pa vjedhur dhe përvetësuar me klanin e saj.
Por zëvendësohet Olta Xhaçka në qeveri me një diplomat, i cili bën një gabim fatal të jetës së tij, mbasi ishte zgjidhja e minutës së fundit. Të gjitha pregatitjet dhe ceremonitë për të zënë vendin e ministrit të jashtëm i kishte bërë Spiropali. Por një video thuhet se doli në rastet e fundit në të cilën Spiropali bënte mbledhje me Bajrët dhe Pëllumb Gjokën dhe bandat e tjera të Shkodrës afër qendrës detyroi, thonë Ramën ta anulojë emërimin e saj, ju garantoj se sapo të më bjerë në dorë ajo video do ta bëj publike pa asnjë diskutim.
Por që u pa se si nxinte Elisa në asanmble, ajo ra në sy nga të gjithë, sikur t’i kishte rënë një mortje e madhe, në një kohë kur në fakt iu bënë pluhur ëndrrat për t’u bërë ministre e jashtme, vetëm në minutën e fundit nga një video që thuhet se qarkullon.
Erdhi në qeveri përfaqësuesi direkt i Ndranghetës. Ju e dini se, Arbjon Mazniku ka qenë menaxheri i Eco Tiranës, ndërmarrje kjo e nënshkruar midis Erion Veliajt dhe Flavio Tosit, dhe Emilio Ranzit, i cili është cilësuar si bosi i Ndranghetës për Veneton dhe ndiqet në të katërta anët e Italisë.
Flavio Tosi dhe Bruno Preseci janë të cituar si dy emrat që gjoja ishin pronarë, njëri me rreth 80% të aksioneve të djegësit Veliaj. Pra, në qoftë se ka një njeri në shtet të stërvitur në vjedhje dhe të lidhur me Ndranghetën, më shumë se Arbjon Mazniku nuk gjindet sot për sot, përveç Taulant Ballës.
Dhe duhet t’u them atyre zotërinjve që bëjënë avokatinë e Maznikut, lexoni pak dokumentet, lexoni pak marrëveshjen e firmosur në vitin 2020 me Flavio Tosi, dhe pastaj bëni avokatinë e tij sa të doni.
Mazniku është një kockë e Ndranghetës në Shqipëri. U lartësua në qeveri vetëm për shkak të lidhjeve të tij të fuqishme me krimin. Largimi i Krifcës, e infektuar nga virusi Xhaçka. Se ajo e pa se kur Olta e bëri burrin strategjist, po dhe ky burri im nuk është më pak se i Oltës dhe filloi t’i japë si nënkontraktori Gjikurisë, tendera dhe gjëra nga paratë e fermerëve shqiptarë.
140 milionë gjoba të shqiptarëve për shkak të veprimeve të Krifcës së qeverisë. Por, të themi atë që është. Ato që erdhën, nuk janë më pak se Krifca.
Albana Korçiu ka një histori të hidhur 8 vjeçare, në të cilën rregjistrimet faktojnë se ajo emërimet i bënte me ryshfet. Ajo shkonte me një sektor të cilin e Ogerta e la në agoni. Shkon për t’i dhënë colpo di gracia.
Pra, nuk po flas për Edonën e Zeusit, se ajo shkoi në qiell, atje ku i kishte mendtë. Se i thoshte Edi Ramës apo jo Edi Ramës Zeusi. Jo nuk është Zeusi, Muhamedi, nuk e harron ti këtë.
Por prurje tjera janë mëkatare, dhe unë ju garantoj se ne, asanmblin e krimit dhe drogës që qeveriste, iu shtuan anëtarë të rinj. Ndryshimet natyrisht të mos harroni se fillon me Taulant Ballën, njeriun i cili në vitet studentore merrej sipas diplomatëve shqiptarë me trafik, nxirrte viza për trafik prostitucioni nga Rumania në Shqipëria, dhe diplomatët shqiptarë e kishin denoncuar Ballën me shkresë edhe me letër pa aktet e tij kriminale.
Balla pas kësaj u shndërrua me shpejtësi në një bos të krimit të organizuar. Lidhjet e tij me klanet e heroinës së Librazhdit, lidhjet e tij me bandën e Elbasanit, implikimi i tij në vrasje është e dëshmuar si në regjistrimet e shkatërruar në mënyrë kriminale nga gjykatës, por edhe nga dëshmi në sallën e gjyqit.
Taulant Balla, njeri me dy ose tri telefona të kriptuar. Me dy vinte këtu në parlament, po thonë kishte edhe më shumë, ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me eksponentë kryesorë të krimit të organizuar në Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera.
Taulant Balla jo vetëm ka mbajtur, por ka sulmuar kundërshtarët politikë, duke i ndërsyer këta banditë ndaj tyre.
Taulant Balla është shoqëruesi me pasaportë diplomatike 57 herë i Edmond Begos, i cili njihej si një nga trafikantët më të mëdhenj të Italisë dhe rajonit. Taulant Balla rezulton në kilometra regjistrime të prokurorisë shqiptare i implikuar me Gentjan Sharrën dhe sikur të ishte ortak në aferat e biznesit me këtë bandit dhe vrasës të Elbasanit.
Balla është akuzuar si i implikuar në vrasjen e avokatit Gurra, i cili kishte dijeni si avokat për regjistrimet që ekzistonin, që provonin se Balla është porositës vrasësish.
Pra, me një fjali ndryshimet e sotme të qeverisë i shoh përpjekje për të larë pak fytyrën, por duke e nxirë atë edhe më shumë.
Po çfarë mund të kem unë vlerësim. Unë nuk them se ky Igli Hasani, nuk di asgë për të. Por di marrëzinë e tij të pafundme që pranon të vihet në shërbim të Edi Ramës, personit sot më të diskredituar në politikën europiane.
Por si mundet një diplomat, që ka një karrierë të pamohueshme në fushën e diplomacisë, të vihet në shërbim të një njeriu, i cili u damkos në rajon si një sherr, si një vasal i Vuçiç, si një sherrndjellës në rajon, si njeri që u sul me tërbim kundër Kosovës dhe kryeministrit të saj, njëlloj sikur të ishte kryeministri Kosovës, si një njeri që u diskreditua me qendrimet antishqiptare dhe pro-Vuçiç, me qëllime për projektet pro-Ruse, si një njeri tani që na mbolli një sherr të paparë me fqinjin tonë jugor, Greqinë.
A mundet një diplomat ta vejë veten në dispozicion të një anti-shqiptari të lidhur fund e krye me krimin, të lidhur fund e krye me drogën, të lidhur fund e krye me Vuçiç. Këtë e bën vetëm një diplomat dritëshkurtër.
Prandaj unë nuk mund të flas keq për të, por nuk mund të miratoj kurrsesi gjestin e Igli Hasanit.
Për sa i përket atij Metës, ai ka ca gjëra për të shpjeguar më vonë. U lirua nga detyra, por ka ca gjëra për të shpjeguar më vonë.