Partizani dhe Vllaznia nuk kanë shkuar më se një barazim 0-0 në Shkodër, në takimin e vlefshëm për javën e 3-të të kampionatit. Ndeshja filloi me malore për të kuqtë, pasi Maguette ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë në minutën e 14-të, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak për pjesën më të madhe të lojës.
7 minuta më pas, ekipi i Zekiç i afrohet golit me Rrapaj, i cili gjen traversën nga 35 metra, ndërsa Bintsouka nuk përfitoi dot nga topi i kthyer. Edhe pse në inferioritet numerik, trekëndëshi Rrapaj-Murataj-Bintsouka mund të sillte golin për skuadrën kryeqytetase, por goditja e sulmuesit nuk shkon në rrjetë, edhe pse 20-vjeçari gjendej me portën e boshatisur.
Në fillimin e pjesës së dytë, shkodranët provojnë ta zgjidhin ndeshjen në mënyrë individuale, Alban Hoxha i përgjigjet goditjes së Boshnjakut nga distanca. Më pas, skuadrat bënë një lojë mjaft të kujdesshme, duke u kujdesur më shumë për të mos pësuar, sesa për të shënuar. Minutat e mbetura nuk prodhuan diçka konkrete, përveç një roveshate të Bruno Gomes. Partizani renditet në vendin e pestë me 4 pikë, sakaq Vllaznia pozicionohet e katërta me 5 pikë.
Superliga shqiptare zbret sërish nesër në fushë me fillim nga ora 16.00, për takimin mes Laçit dhe Teutës.