Pse më futi drithma operacioni policor Tempull!

0
273

Si të gjithë, u njoha nga media me rezultatet e operacionit policor Tempull.
Nga të dhëna të dala nga burime zyrtare rezultojnë nuk e di sesa të ndaluar. Thuhet dyqind e disa dhjetra, dhe ndofta bashkë me ata që janë në kërkim mund të shkojnë nja treqind.
Po i supozojmë këto shifra të sakta, sepse nuk kemi përse dyshojmë te to!
Pyetja që bëhet është: Mirë nga ana policore ky është një sukses, po nga ana shoqërore a është i tillë? Cfarë tregojnë këto shifra?

Për ta konkretizuar po marr një rast imagjinar që kurrë mos ndodhtë. Bëhet një aksident, me dhjetra të plagosur. Jepet lajmi se ambulancat çuan në spital brenda pak minutash ta zemë 46 të plagosur.

Duhet ta quajmë sukses, pra të gëzohemi apo të trishtohemi? Apo të trishtohemi për të plagosurit dhe të gëzohemi që ambulancat e urgjencës punuan mirë?
Si mund ta quajmë një ndjenjë që është edhe gëzim edhe trishtim?
Të vijmë më konkretisht.
Pse më trishtojnë shifrat e operacionit policor Tempull, pavarësisht se është rezultat i një pune të lavdërueshme të policisë?

Janë tre arësyet kryesore.
E para: Supozojmë se janë treqind persona që policia ka interceptuar në këtë kuadër, ka ndaluar apo ka dashur të ndalojë. Janë disa qindra pra. Dhe nuk mund të thuhet se janë të gjithë ata që janë përfshirë në rrjetet e shpërndarjes të lëndëve narkotike. Patjetër duhet të ketë shumë të tjerë.
Cfarë inkriminimi në kuadër masiv!
Se duken sikur janë jo edhe aq shumë, treqind persona, por për numrin tonë të popullsisë nuk janë pak.
Shikoni sesa inkriminim në shkallë të gjerë prodhon shoqëria jonë!
Vetëm në një lloj krimi, atë të shpërndarjes të lëndëve narkotike. Po në llojet e tjera të krimeve? Korrupsion, larje parash, abuzime me postin zyrtar, prostitucion, plagosjee, vrasje, etj.
Përtej rezultatit të policisë që bën punën e vet, shohim edhe pamjen tjetër: Faktin që shoqëria jonë prodhon krim në përmasa të gjëra.
Cfarë na thonë politikanët për këtë?
Cfarë na thonë edukatorët? Shkolla, mësuesit, dikasteret përkatëse që merren me edukimin?

Kuptimi është i qartë: Kemi suksesin policor, por që na tregon dështimin e modelit të integrimit social të njeriut shqiptar.
Imagjinoni sikur në një vend të madh demografikisht evropian të kishte ndodhur një valë e tillë ndëshkimesh, ndalimesh policore, arrestimesh! Ta zemëe një vend me një popullsi 30 herë më të madhe se popullsia e tanishme e vendit tonë. Do të kishim nja 9000 të ndaluar!
E imagjinoni se çfarë tronditje do të kishte qenë për politikën? Cfarë tërmeti do të kishte rënë për sistemin e edukimit! Cfarë gjëmimi do të kishte dhënë media për të ngritur alarmin për fatet e asaj shoqërie!
Shoqëria jonë ka një nivel të ulët socializimi në rrugën e duhur të individit. Me qindra mijë kanë ikur. Shoqëria nuk i ka mbajtur dot. Tani edhe me qindra që çdo vit hyjnë në rrugën e krimit. Pra njerëz që nuk e njohin rëndësinë e ligjit. E shohin ligjin si diçka që nuk ka vlerë për t’u respektuar.

Në një analizë tjetër do të vijmë te shkaqet e mundëshme të kësaj turbine krimi, paligjshmërie, klandestiniteti që prodhon shoqëria jonë. Por, këtu themi vetëm diçka : Kur një i ri dëgjon të gjitha ato akte korrupsioni brenda elitave politike dhe administrative, a mendoni se nuk merr andej një shëmbull të poshtër? Se dihet që populli imiton etikisht elitat. Cfarë shëmbulli do të marrë përshëmbull kur dëgjon si u foli në Asamblenë socialiste zoti kryeministër kolegëve të vetë në Parti! U foli sikur të kishte përpara një tufë mëkatarësh që nga çasti në çast mund të rrëshkisnin në veset e vjedhjes, pasurimit të paligjshëm, etj.
E dyta : Ja ta zemë se kemi nja 300 shpërndarës lëndësh narkotike. Tani vijmë te përmasa tjetër. Paska treg për këta në një vend me popullsi kaq të vogël sa jemi ne?
E marrim që secili nga këta për të mos e tepruar ka nga tridhjetë klientë secili. Pra bëhen nja 9000 klientë.

Pse pak janë ? Të bëjmë një statistikë të thjeshtë të përafërt se INSTAT as është kthyer nga kjo anë për të na thënë se sa janë konsumatorët e lëndëve narkotike në Shqipëri.
Pra, jo vetëm prodhojmë krim me përmasa të mëdha, por prodhokemi edhe konsumatorë drogash të buta apo të forta në përmasa të mëdha. E them këtë sepse me siguri kjo shifër nuk duhet vendosur në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë, por vetëm kryesisht me popullsinë urbane. Dihet gjithashtu se nuk janë konsumatorë drogash mosha ta zemë mbi 50 vjec, ose të rinj deri në 14 vjeç. Janë segmente të tjera që konsumojnë lëndë narkotike. Pra në këto mosha shpeshtësia e narkomanëve ose e atyre që e tërheqin nga pak është e dëndur.
Kaq shumë stres prodhoka shoqëria jonë te të rinjtë? A nuk duhet lidhur kjo gjendje stresi me dëshirën e tyre për të ikur e na lënë pendët nga ky vend?
Cfarë na thotë ministria e shëndetësisë dhe e arësimit për gjendjen e shëndetit publik? Po për gjendjen e shëndetit mendor të rinisë? Ku po shkojmë kështu?
Cfarë e detyron rininë shqiptare që konsumon droga ta shtyjë jetën, ta përballojë jetën, jo me entuziazëm, jo me frymëzim kulturor, jo duke gjetur qëllime në jetë, por duke thithur droga apo duke injektuar lëndë narkotike në trup?

Kanë studime për këtë institucionet e arësimit, të shkencës, të shëndetësisë?
Shqetësohet për këtë zoti Bajram Begaj si kryetar i shtetit?
E treta: Lidhet me stresin e familjarëve, të prindërve për fëmijët e tyre. Kanë një alarm në kokë. Dhe paskan të drejtë që nuk i zë gjumi natën. Kanë të drejtë kur i dëgjoj të thonë: Ta heq fëmijën nga ky vend sepse kam frikë se do të hyjë në rrugën e konsumimit të lëndëve narkotike!!:!

Cfarë drame! Prindi largon fëmijën nga vetja për ta shpëtuar! Kjo përmasë nuk njiheJ nga emigrimi shqiptar në shekuj! Kjo është plaga e re për të cilën askush nuk flet dhe nuk e shkruan sado që nën-dhé përbën shqetësimin prindëror numër një!
Por, c’do të bëhet me këta dhjetra të interceptuar nga policia? Do të paralajmërohen, do të mbahen ca ditë të ndaluar dhe pastaj do të lihen? Ata do të bëhen sigurisht recidivistë sepse do të dalin me mendimin që kjo shoqëri ligjet i ka kot. Kush po pyet për ligjet. Ka deputetë që propozojnë ligje që shkelin kushtetutën (si dikë që e di unë), e pse ne thonë shpërndarësit e drogës të mos e shkelim ligjin për të mbijetuar?!

Cfarë do të bëhet? Do të dënohen? Dihet që burgu e rrit shkallën e prodhimit të recidivistëve. Ata do të hyjnë në shkollën e burgut, do të kontaktojnë krimin masiv, dhe do të mbledhin edhe më shumë inat ndaj një shoqërie që e quajnë të padrejtë. Si mundet që ata ta quajnë një dënim të drejtë, kur shoqërinë e quajnë të padrejtë?
Pra, jo vetëm shoqëria gjeneron krim, por edhe vetë fakti i goditjes së krimit ka rrezik të shtojë sasinë e energjisë kriminale në shoqëri.

Rrugët për ta shpëtuar shoqërinë nga kriminalizimi masiv janë. Por, fillimisht të pranojmë faktet që edhe njëherë shpërthyen nga rezultatet e operacionit policor Tempull.
Askush nuk flet. Edhe politika e lartë merret me aksionin policor dhe harron, nuk është në gjendje, nuk do, nuk ka aftësi të analizojë se çfarë fshihet pas tij!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here