Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis iu rikthye deklarimeve për rastin e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg në Shqipëri me akuzuat për shitblerje votash dhe nuk ka arrtiur të bëjë dot betimin për të filluar detyrën.
Duke folur për gazetarët nga Selaniku, në kuadër të panairit ndërkombëtar të biznesit, Kyriakos Mitsotakis tha se “marrëdhëniet dypalëshe me Shqipërinë janë lënë në hije nga rasti i burgosjes së Fredi Belerit”.Ai deklaroi se qëndrimi i Shqipërisë “përmbys progresin e rëndësishëm të katër viteve të mëparshme në marrëdhëniet mes të dy vendeve”.Zoti Mitsotakis këmbënguli që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës duhet të lejohet të bëjë betimin, qoftë edhe nga burgu.
Unë nuk ndërhyj në gjykimin e drejtësisë shqiptare, do të ishte shumë e vështirë dhe e pahijshme ta bëja këtë, por heqja e mundësisë së Fredi Belerit për t’u betuar si kryetar bashkie, përbën sipas mendimit tonë, shkelje të qartë të standardeve të shtetit ligjor”, deklaroi Mitsotakis.
Kryeministri i Shqiperisë Edi Rama në deklarime të shpeshta kohët e fundit e ka bërë të qartë se çështja e kryebashkiakut të Himarës i përket organeve të drejtësisë shqiptare dhe se ai nuk mund të pranojë asnjë ndërhyrje ndaj saj.
“Asnjë lloj interference, ngado që të vijë mbi sistemin e drejtësisë, nuk do të gjejë, jo përkrahjen, por nuk do të gjejë as mirëkuptimin tonë. Ne nuk ndërhyjmë në çështjet e sistemit të drejtësisë. Ne nuk i komentojmë vendimet e organeve të reja të drejtësisë”, është shprehur Rama.
Tre ditë më parë Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri vendosi të kalojë për gjykim çështjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, i arrestuar dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit me akuzën e Korrupsionit aktiv në zgjedhje.
Nga ana e tij zoti Beleri i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik.
Kërkesat e tij, të bëra për ndryshimin e masës së sigurisë me burg, janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit.