Ndërsa gjykatat janë zbrazur nga procesi i vettingut dhe 100 mijë dosje mbeten stok, Këshilli i Lartë Gjyqësor zvarrit prej afro dy muajsh në kundërshtim me ligjin emërimin dhe caktimin në detyrë të 40 magjistratëve të rinj që kanë përfunduan në qershor Shkollën e Magjistraturës, me justifikimin se janë duke kryer ende procesin e lëvizjeve paralele dhe ngritjes në detyrë të gjyqtarëve ekzistues.
Më 23 janar 2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi që të caktojë lejimin e pranimit të 40 kandidatëve për gjyqtarë, për të vijuar programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës gjatë vitit akademik 2020-2021.
Numri i lartë i pranimit u ndikua edhe nga largimet e magjistratëve nga sistemi i drejtësisë, si pasojë e shkarkimeve gjatë procesit të vettingut.
Megjithëse ky planifikim i kryer tre vjet më parë pritej që të ndihmonte në plotësimin e vakancave të krijuara në gjykata, KLGJ në kundërshtim me përcaktimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…”, nuk i ka emëruar ende 40 të diplomuarit e rinj, megjithëse është tejkaluar afati ligjor.
Më 26 qershor 2023, Shkolla e Magjistraturës miratoi listën e kandidatëve për magjistratë të diplomuar, nga të cilët 40 për gjyqtarë dhe 26 për prokurorë.
Ligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…” parashikon në nenin 35 se, “Brenda afatit njëmujor nga data e publikimit të listës së të diplomuarve, Këshillat: a) emërojnë magjistrat çdo person që është në listën e të diplomuarve, i cili përmbush kriteret e emërimit, ose refuzojnë të emërojnë magjistrat çdo person që është në listën e të diplomuarve, por që nuk përmbush kriteret e emërimit”.
Brenda afatit ligjor njëmujor, më datë 12 korrik, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zhvilloi ceremoninë e betimit të 26 prokurorëve të rinj që u caktuan në pozicione në prokurori të ndryshme të juridiksionit të përgjithëm në gjithë vendin.
Ndryshe nga KLP, Këshilli i Lartë Gjyqësor vijon ende të mos e ketë kryer këtë detyrim të përcaktuar në ligj, edhe pse kanë kaluar afro dy muaj.
Ndryshimet ligjore të kyera në vitin 2021, përcaktuan ndër të tjera se procedurat verifikuese të pasurisë dhe figurës për gjithë kandidatët për magjistratë që më parë kryheshin pas diplomimit të tyre, të fillonin disa muaj më parë, me qëllim që kur të merrnin titullin të kishte përfunduar verifikimi dhe të ishin gati për emërim.
I pyetur për mosemërimin e 40 kandidatëve për gjyqtarë të diplomuar në qershor, Këshilli i Lartë Gjyqësor shpjegoi se ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe verifikuese të lidhura me proceset e ndryshme të përmbushjes së kushteve dhe kritereve ligjore nga këta kandidatë dhe se më datë 18 korrik ka vendosur kualifikimin për të 40-të, duke vijuar procedurën e mëtejshme për emërimin e tyre si gjyqtar.
Në vijim KLGJ sqaron se për mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, ka ndërmarrë disa hapa me qëllim plotësimin e vendeve vakante në gjykata, përmes instrumentit ligjor të lëvizjes paralele, konkretisht nëpërmjet hapjes së procedurave të lëvizjes paralele për disa pozicione në Gjykatat e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Këto gjykata cilësohen si institucione karriere e promovimi për gjyqtarët që janë në sistem.
“Me qëllim plotësimin e këtyre vakancave, Këshilli po vijon punën intensive për përfundimin e procedurave të transferimit paralel dhe ngritjes në detyrë të kandidatëve në pozicionet ku kanë kandiduar, për të vijuar më pas me shpalljen e vendeve të lira si dhe emërimin dhe caktimin në detyrë të magjistratëve të sapo diplomuar”, citohet në përgjigjen e KLGJ dhe theksohet se përfundimi i procedurave të lëvizjes paralele përpara caktimit në pozicion të magjistratëve të diplomuar është detyrim dhe kusht ligjor i përcaktuar nga ligji nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar.
E pyetur për përcaktimin ligjor konkret që urdhëron përfundimin e procedurave të lëvizjes paralele të gjyqtarëve që janë në sistem, përpara caktimit në detyrë të të diplomuarve kandidatë për magjistratë, anëtarja e KLGJ-së e caktuar për marrëdhëniet me median dhe publikun, Marçela Shehu pohoi gjatë një komunikimi telefonik se bazoheshin në pikën 1 të nenit 39 të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…”.
Në këtë pikë të nenit 39, përcaktohet se “Brenda muajit qershor të çdo viti, pas përfundimit të procedurave të transferimit paralel dhe ngritjes në detyrë, secili Këshill shpall vendet e lira për të emëruarit”, ç’ka duket se parashikon që procedurat e transferimit paralel dhe të ngritjes në detyrë duhej të ishin përfunduar brenda muajit qershor. Po ashtu, përcaktohet se vendet e lira shpallen për “të emëruarit”, ndonëse kandidatët për magjistratë janë ende në pritje të emërimit, megjithëse kanë kaluar dy muaj.
Shehu shtoi se një tjetër arsye që ka penguar emërimin e të diplomuarve, ka qenë edhe mungesa e 40 vendeve të lira të përhershme. Ajo argumentoi se një pjesë e gjyqtarëve të shkarkuar janë të pezulluar nga detyra pasi pritet shqyrtimi i ankimeve të tyre në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe për rrjedhojë vakanca e krijuar pas pezullimit të tyre nuk është e përhershme. Sipas Shehut, vendet ku duhet të caktohen të diplomuarit e rinj duhet të jenë vende të lira të përhershme.
“Me përfundimin e lëvizjeve paralele hapen vendet dhe do vijohet me caktimin e të diplomuare në detyrë”, pohoi Shehu.
Emërimi i 40 gjyqtarëve të rinj do të lehtësonte ngarkesën e atyre aktualë në gjykatat e shkallëve të para të juridiksionit të përgjithshëm, të krijuar në vite, si dhe si pasojë e shkarkimit të një numri të konsiderueshëm të magjistratëve nga vettingu. Po ashtu, do të sjelli përshpejtim në shqyrtimin e çështjeve të prapambetura dhe atyre aktuale, duke u dhënë zgjidhje më të shpejta kërkimeve të qytetarëve.
Në vitin 2022, numri i çështjeve stok në sistem llogaritej në 120 mijë.
Ndërkohë, të 40 kandidatët për magjistratë që ende nuk janë emëruar në detyrë, u lind e drejta që t’i drejtohen Gjykatës Administrative për të kërkuar shlyerjen e pagave prej datës 26 korrik që është afati maksimal kur duhej të ishin emëruar dhe caktuar në detyrë, që në rast se do të pajtonin avokatë për përfaqësimin e këtyre çështjeve, atëherë do të rritej ndjeshëm vlera financiare që do të duhej të shlyhej nga buxheti i shtetit si pasojë e moszbatimit të ligjit nga ana e KLGJ-së.