Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se ende ka të panjohura lidhur me sulmin e 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, por theksoi se grupi që sulmoi policinë, nuk përbëhej nga qytetarë që u mlodhën spontalisht “për të shprehur shqetësimet e tyre”.
“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që sponatisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të zbardhet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha Hovenier për gazetarët, pasi u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani më 26 shtator.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kishte deklaruar më 24 shtator se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit”.
I pyetur nga gazetarët se nga i siguruan serbët lokalë uniformat me të cilat shiheshin në fotografi, Vuçiq deklaroi se ato “nuk janë uniforma të ushtrisë serbe apo të policisë serbe”. Uniformat blihen kudo në treg, tha ai.
“Fajtori i vetëm për atë që ndodhi në Kosovë është Albin Kurti”, tha Vuçiç, duke kritikuar edhe Perëndimin dhe, siç u shpreh, “hipokrizinë” e tij kur bëhet fjalë për Kosovën.
Si pasojë e sulmit ndaj Policisë së Kosovës u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Autoritetet e Kosovës thanë se në përleshjet e armatosura u vranë edhe tre sulmues të dyshuar.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiçin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.
Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.
Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiçit. /REL