Deputeti i PD-së Tomor Alizoti e quajti qesharake dhe një strategji që mund ta ketë bërë PS-ja vendimin e Kryesisë së PD-së dhe Lulzim Bashës për përjashtimin e 11 deputetëve.
I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Alizoti tha se Basha është për psikiatri duke pyetur se si mund të përjashtosh të gjithë njerëzit dhe të rrish vetë në parti.
“Kjo është një shmangie e temës bashkë me Ramën për të shpërqendruar vëmendjen nga Kosova.
Në radhë të parë njerëzit ndihen demokratë. Unë pozicionohem demokratë që në vogëlinë time. Në sytë e mi dhe në perceptimin tim PD është themeluar jo që në revoltat e para, por që në burgjet e Spaçit. Kjo është kot, qesharake. Një strategji sikur e bën PS-ja. Kjo është për të shkuar te pesa.
Z. Basha është për psikiatri. Nuk e shpjegoj dot me arsye, çfarë të them. Si mund të përjashtosh të gjithë njerëzit dhe të rrish vetë. Kjo është për psikozë. E quan turp të merrem me të, e quaj banalitete”, tha Alizoti.
I pyetur se si do të ndikojë kjo për opozitën, ai tha se nuk ka ndikim duke e quajtur banalitet.
“Kjo nuk ndikon fare. Është e ndarë. E quaj banalitet këtë vulg. Opozita është tjetër gjë. Kjo është një listë që mund t’i kenë zgjedhur ata të PS. Kjo nuk ka ndodhur. Si mund të më pyesni për një të sëmurë mendor. Më pyesni për një njeri që qesh gjithë parlamenti. E thënë popullorshe më hapet barku me këtë nivel bisede.
Them për çështjen në fjalë e cila ka dëmtuar opozitarizmin në Shqipëri, falë investimit të Ramës. E refuzoj një gjë që mua më duket turp. Respekti për ju është në maksimum”, tha Alizoti.