Kompania që solli anijet në Vlorë e regjistruar offshore, vetëm emri është ‘Excelerate’

0
492

‘Piranjat’ kanë zbuluar se kompania që është kontraktuar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare për të sjellë anijet që do të prodhojnë energji në Portin e Vlorës është offshore, e regjistruar në shtetin Delaware të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të dhënat e siguruara përmes dokumenteve zyrtare zbulojnë se në aplikimin e bërë nga kompania që ka firmosur kontratën me KESH është vetëm emri ‘Excelerate Energy’, por në fakt, në brendësi të ofertës rezultojnë në total tre shoqëri, dy prej të cilave janë të regjistruara në shtetin parajsë fiskale.

Në ofertën që i është dorëzuar KESH-it, rezulton se aplikimi është bërë nga firma prestigjioze ‘Excelerate Energy’, oferta shoqërohet dhe me logon e saj, por kur lexon brenda dokumenteve, në certifikatën e regjistrimit shihet se është dhënë akti i regjistrimit të një tjetër firme: ‘Excelerate Global Operations LLC’, ndërsa personi që ka firmosur ofertën është Daniel Bustos shefi i njësisë tregtare i një tjetër ‘Excelerate’, asaj ‘Limited Partnership’.

Të dyja kompanitë, si ‘Excelerate Global Operations’ ashtu edhe ‘Excelerate Energy Limited  Partnership’ rezultojnë me seli në Delaware, shtet që njihet si parajsë fiskale dhe ruan anonimatin e emrave të pronarëve të kompanive që regjistrohen atje.

Truku është i thjeshtë. Në dokumentet që duhen firmosur, emri i ‘Exelerate Energy Limited Partnership’, për efekt titulli shkurtohet në Exelerate, dhe kujtdo i krijohet ideja se kemi të bëjmë me ‘Exelerate Energy’, kompania e madhe amerikane e kuotuar në bursë. Por në realitet nuk është kështu, pasi nëse bën një kërkim në faqen e internetit të ‘Excelerate Energy’, kjo firmë serioze nuk ka asnjë projekt në zhvillim në Shqipëri dhe as ka patur ndonjëherë.

 

Pavarësisht të gjitha këtyre problematikave ligjore, oferta për dy asetet gjeneruese termike u pranua menjëherë nga KESH, dhe më datën 4 Prill 2022, Korporata lidh kontratën 2 vjeçare me ‘Exelerate Global Operations LLC’, që është njëra nga dy Exelerate off-shore, dhe pse oferta ishte e firmosur nga përgjegjësi tregtar i ‘Exelerate Energy Limited Partnership’.

 

Këtu jemi ne rastin tipik të një zinxhiri kompanish offshore, të cilat funksionojnë për dy qëllime: fshehjen e pronarëve, dhe për të krijuar një sistem guackë, që nuk është gjë tjetër, veçse një nevojë për të mbuluar gjurmët.

 

Një firmë hap një degë tjetër që i zotëron aksionet, më pas hap një tjetër filial dhe e regjistron në një tjetër shtet, pastaj një tjetër pronar mund të zotërojë atë kompani në një shtet tjetër i cili ia jep te drejtat një kompanie të katërt që e zotëron përfituesi i firmës së parë dhe kështu me radhë, mbi 10, 20 apo dhe qindra firma. Ato kanë vetëm emrin dhe përdoren për të bërë lëvizje të shpejta të parave që të humbin gjurmët dhe përfituesit duke e bërë shumë të vështire për t’u investiguar si nga media dhe nga drejtësia.

 

Fillimisht ‘Exelerate Energy Limited Partnership’, themelon në Tiranë kompaninë e re ‘Exelerate Albania Holding’. Më pas, kjo e fundit, bashkëpunon me ‘Renco SPA’ duke krijuar një tjetër kompani, sërish në Tiranë, me emrin ‘Exelerate-Renco FPB’. Bazuar në kontratën e nënshkruar nga palët, kjo ishte një manovër kirurgjikale juridike, që ia delegon përgjegjësinë kompanisë së re që do të krijohet për të zbatuar kontratën, duke përjashtuar nga çdo përgjegjësi të gjitha kompanitë e përfshira më parë ne këtë proces.

 

Ardhja e anijeve ne Vlorë, u bë nga ‘Exelerate Global Operations’, e cila pasi i bleu 15 milion dollarë, i dha me qira 2 vjeçare për 45 milion dollarë plus 23 milion dollarë të tjera për mirëmbajtjen e tyre (68 milion dollarë në total), duke shtuar dozën e skandalit.

 

Vitet e fundit, shoqatat e biznesit në Shqipëri, ekspertët, madje edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, kanë bërë thirrje, që kontratat të lidhen me garë. Në rastin e kontratës së anijeve gjenerator, jo vetëm që gara është lënë e hapur për vetëm tre ditë, duke shkelur ligjin, por mënyra se si aktorët e përfshirë kanë vepruar, le vend për dyshime të arsyeshme të një skeme korruptive.

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here