Rikthimi i ‘Talibanëve’ në Kosovë

0
255

Nga Agim Nesho

Ndoshta titulli më i saktë i këtij shkrimi do të ishte ‘rikthimi i barbarëve në qytetërimin perëndimor’, që përkon edhe me historinë e Ballkanit, të cilët kërkojnë dominim, sjellin luftë dhe ndasi etnike. Por Talibanët njihen për dy gjëra kryesore: – nxitjen e grupeve terroriste për të shkatërruar botën e qytetëruar, duke kujtuar këtu përpjekjen e operativëve që kryen sulmin famëkeq terrorist dhe gjakatar të 11 shtatorit 2001 në zemër të New York City, si dhe përfaqësues të një grupi mesjetar që duan të shkatërrojnë vlerat e shoqërisë moderne.

Pas 20 vjetësh të përpjekjeve të perëndimit për të ndërtuar një shoqëri të lirë në Afghanistan, ata sot janë në krye të qeverisjes së Afganistanit. Amerikanët dhe perëndimorët, që besuan se ata kishin ndryshuar dhe përfunduan një marrëveshja me ta, dështuan të kuptonin se sekte të tillë kriminalë nuk ndryshojnë kurrë. Largimi nga Afganistani dhe lënia e vendit në duart e talibanëve, është një nga dështimet më të mëdha të politikës së jashtme amerikane. Triliona dollarë të shpenzuara të popullit amerikan për të ringritur shtetin, rimëkëmbur ekonominë dhe në mbështetje të shoqërisë së lirë afgane, shkuan kot ashtu si dhe gjaku i ushtarëve perëndimorë që shërbyen në misionet paqeruajtëse në vend. Diplomatët dhe politik-bërësit amerikanë menduan se gjërat kanë ndryshuar dhe kishte ardhur koha që Amerika të mendojë mirë për investimet e saj në një kohë kritike ndërkombëtare.

Kosova është historia e dytë e suksesit të veprimit të bashkuar të komunitetit ndërkombëtar që vepruan për të goditur genocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve nga regjimi kriminal i Miloshevicit. Lindja e një shteti të ri në mbrojtje të parimeve dhe vlerave për një shoqëri të lirë ishte një rast sui generis i shtet-ndërtimit që zhvillohej në zemër të Europës.

Nacionalizmi primitiv serb kurrë nuk ndryshon dhe prodhon mostra të servirura për cdo kohë. Për më tepër që këta që drejtojnë Serbinë sot janë ish-ministrat e kriminelit Milosevic si Vucic, Dacic, etj., të cilët nga eksperienca e gjatë e tyre dinë të sillen si viktima me perëndimin dhe si hiena me nacionalitetet e tjera ballkanike.

Sot jemi përpara një situate kritike në Ballkanin Perëndimor ku nacionalistët e Vucic kërkojnë të rimarrin dicka nga Kosova. Ata nuk kanë ndrojtje të fshehin ‘identitetin dhe kërkesat e tyre’ për arsye se disa burokratë amerikanë kanë harruar pamjet e frikshme dhe krimet serbe, spastrimin etnik dhe genocidin ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare dhe mendojnë që politika e jashtme amerikane nuk duhet të ketë memorie por të jetë pragmatiste dhe të shikojë përpara. Përpjekjet për rikthimin e talibanëve (nacionalistëve serbë të regjimit të Vucic dhe jo të popullit serb) ata përpiqen ta paraqesin si skenar të shoqërisë së hapur që kërkon një stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë. Ata fshehin nacionalizmin dhe trumbetojnë se kanë marrëdhënie të shkëlqyera me shqiptarët e Tiranës duke përdorur Ramën si përfaqësues të gjithë elementit shqiptar në rajon, duke mohuar Kosovën dhe pavarësinë e saj.

Rikthimi i talibanëve është një projekt i vjetër serb, i cili nuk do të bëhet i mundur pa ndihmën dhe aksionin e Rusisë. Regjimi Vucic krijoi premisat për të kthyer Ballkanin Perëndimor në një rajon vulnerabël duke kompromentuar dhe blerë interesat e grupimeve korruptive ose elementeve pro-rusë në Ballkan: – Destabilizimin e Bosnjë-Hercegovinës me anë të Dodik dhe Republikës Srpska; Destabilizimin e Malit të Zi duke luftuar elementet pro perëndimore si presidenti Djukanovic dhe rivendosjen e rolit të kishës serbe; duke rritur influencën ruso-serbe në Maqedoninë e Veriut që sot po shihet hapur; duke bashkëpunuar me regjimin më të korruptuar të Shqipërisë së drejtuar nga Edi Rama, duke i premtuar pushtet të pakufizuar dhe ruajtje të regjimit nga ndarja e mundshme e Kosovës dhe rivendosja e një ndarje të re gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor me ndihmën e fuqive të mëdha. Ky projekt me kohë ka luftuar për zhdukjen e demokracisë në Ballkan, për margjinalizimin dhe goditjen e opozitës në Shqipëri dhe liderëve të saj, si elemente me ndikim në hapësirat shqipfolëse të Ballkanit për të mos krijuar asnjë problem. Ata e kthyen Ballkanin Perëndimor në një rajon ku krimi i organizuar bashkëpunon me politikën, në një rajon prodhues dhe shpërndarës të frikshëm të drogës dhe ku shtetet janë të kapura nga regjimet oligarkike.

Hallka më e rëndësishme e projektit të tyre është Kosova dhe zhdukja e lidershipit të Albin Kurtit, që ju pengoi projektin e Ballkanit të Hapur dhe planet e tyre për ta kthyer Ballkanin në një hapësirë për ndërveprimin e fuqive të mëdha në botë.

Presioni ndaj Perëndimit duke përdorur ushtrinë në kufi më Republikën e Kosovës është një ‘bllof’ i politikës së Vucic “tërhiq dhe lësho” për të fituar pikë pas ngjarjeve tragjike të 24 shtatorit.

Ajo që e mban të ndezur konfliktin në Ballkan janë kastat e korruptuara të vendeve ballkanike dhe një politikë e paqartë, “preferenciale” ndaj Serbisë që të mos ikë në lindje, si dhe nevoja për një vizion të ri të politikës amerikane për të rikthyer rolin e saj udhëheqës në Ballkan. Dhe kjo nuk është një kërkesë që vjen nga frika e ballkanasve për paqe, por dicka e dukshme në gjithë opinionin publik ndërkombëtar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here