Tetori rozë/ Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit! Çfarë duhet të dini

0
147

Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin e kësaj sëmundjeje.

Ai organizohet çdo vit dhe synon të shpërndajë informacion në lidhje me shëndetin e gjirit, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.

Si kudo tjetër në botë, edhe në Shqipëri nuk kanë munguar fushatat sensibilizuese për të rritur vetëdijen e grave dhe vajzave për të kryer kontrolle. Specialistët shëndetësorë rekomandojnë vizita të rregullta pasi kjo  shërben për identifikimin në kohë të shafqjes së kancerit të gjirit.

 Çfarë është kanceri i gjirit

Kanceri i gjirit është një sëmundje ku qelizat e gjirit rriten jashtë kontrollit. Kanceri i gjirit mund të fillojë në pjesë të ndryshme të gjirit dhe mund të përhapet jashtë tij nëpërmjet enëve të gjakut dhe enëve limfatike, pra duke dhënë metastaza. Të dy sekset, si gratë ashtu edhe burrat mund të preken nga kanceri i gjirit, edhe pse ky kancer është shumë më i zakonshëm te gratë. Disa gra janë në rrezik më të lartë për kancerin e gjirit sesa disa të tjera për shkak të historisë së tyre mjekësore, personale, familjare, ose për shkak të ndryshimeve të caktuara gjenetike.

Sa i përhapur është kanceri i gjirit

Bazuar në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë (GLOBOCAN), e cila përllogarit një vlerësim të situatës reale në çdo vend të botës, kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë kudo në botë. Pjesa më e madhe e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në faza të vonshme.

Cilat gra janë të rrezikura për kancerin e gjirit

Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë, por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësisht preken moshat mbi 50 vjeç, por kanceri i gjirit mund të shfaqet edhe në mosha fare të reja. Studimet kanë treguar se rreziku për kancerin e gjirit është rezultat i një kombinimi faktorësh.

Disa nga faktorët e rrezikut përfshijnë:

Mosha-rreziku rritet me rritjen e moshës; por nga kanceri i gjirit preken dhe moshat e reja

Ndryshimet në disa gjene – deri 10% e kancereve të gjirit janë si rezultat i një defekti gjenetik. Gratë që kanë trashëguar këto ndryshime gjenetike janë në rrezik të lartë edhe për kancer të vezoreve.

Fillimin e hershëm të menstruacioneve – femrat që u fillojnë menstruacionet para moshës 12 vjeç, janë të ekspozuara ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur rrezikun për kancer gjiri.

Fillimin e menopauzës pas moshës 55 vjeç – ashtu si fillimi i hershëm i menstruacioneve, edhe menopauza e vonshme rrit ekspozimin e femrës ndaj hormoneve për një periudhë më të gjatë kohore, duke rritur kështu rrezikun për kancerin e gjirit.

Shtatzënitë në moshë të madhe ose moslindjen e fëmijëve.

Mungesën e aktivitetit fizik.

Të qenit mbipeshë apo obeze pas menopauzës.

Indi i gjirit i ngjeshur/i dendur

Historitë personale me kancer gjiri-femrat që kanë pasur kancer gjiri kanë më shumë gjasa për t’u prekur përsëri nga kanceri i gjirit.

Historitë familjare me kancer gjiri – rreziku i një gruaje për kancer gjiri është më i lartë nëse ka patur nënën, motrën, vajzën (të afërm të shkallës së parë) me kancer gjiri.

Alkoolpirjen dhe pirjen e duhanit.

6 këshilla për të shmangur kancerin në gji

1- Bëni vizita mjekësore sa herë ndjeni shqetësime, por edhe kur e ndjeni veten mirë.

2- Bëni një jetë të shëndetshme, bini në peshë, nëse jeni  mbipeshë.

3- Përpiquni të minimizoni stresin

4- Mundohuni të keni një aktivitet seksual të rregullt.

5- Ushqehuni duke ndjekur një diete të caktuar. Hani ushqime që janë të pasura me vitaminë A, E dhe C, p.sh., karota, spinaq,  kajsi dhe agrume. Është mirë që ato t‘i bëni pjesë të pandashme të dietës suaj ditore.

6- Mos harroni se lindja e fëmijës dhe ushqimi me gji janë shumë të rëndësishme për shëndetin e gjirit tuaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here