Meta: Papunësia e të rinjve dhe rritja e çmimeve të ushqimeve në nivele rekord. Qeveria asnjë vëmendje për këtë dramë sociale!

0
121

 

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot se zhvillimi ekonomik e social në muajt e fundit, tregon një përkeqësim të vazhdueshëm për sa i përket modelit ekonomik, të dominuar nga ndërtimi, nga rënia e eksporteve për shkak të mbiçmimit të lekut, të vazhdimit të nivelit të lartë të papunësisë për moshat e reja, të inflacionit të vazhdueshëm në çmimet e larta të artikujve ushqimorë, dhe të përkeqësimit të treguesve demografik.

Meta tha se është alarmante për ekonominë, rënia e theksuar e importeve dhe eksporteve.

“Prodhimi i Brendshëm Bruto shënoi një rritje prej vetëm 3.23 % në tremujorin e dytë të vitit 2023.
Sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme mbeten kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike, në rreth 67% te rritjes ekonomike.

 

Ky është një tregues në vazhdimësi i modelit ekonomik aktual jo të qëndrueshëm i cili nuk mbështetet në sektorët e rëndësishëm dhe afatgjatë të ekonomisë si bujqësia, industria, manifaktura, energjia, uji, etj.
Kontributi i Bujqësisë në rritjen ekonomike është në rënie me -0.03%.
Ndërsa kontributi i Industrisë, Energjisë dhe Ujit, mbetet me shume negativ ne tremujorin e dyte te vitit 2023, ne -0.31%.
Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor, kontributi i këtij sektori (ku përfshihet dhe Turizmi) ne rritjen ekonomike ne tremujorin e dyte te vitit 2023 mbetet fare modest ne vetëm 0.19%.
Ajo që duhet theksuar si alarmante për ekonominë, është kontributi negativ i eksporteve dhe importeve te mallrave, të cilat kane rënie të theksuar”, deklaroi Meta.

Ai theksoi se eksportet e mallrave në Tremujorin e II të vitit 2023 kanë treguar në vazhdimësi një rënie, tregues i qartë i krizës së sektorit të eksporteve.

“Në Gusht 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 miliardë lekë, duke u ulur me -21,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -27,4 %, në krahasim me Korrik 2023.
Importet e mallrave arritën vlerën 68 miliardë lekë, duke u ulur me -15,0 %, në krahasim me një vit më parë dhe me -4,1 %, në krahasim me Korrik 2023.
Në tetë muajt e vitit 2023 totali i eksporteve të mallrave është ulur në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022, nga 328 miliardë lekë në vitin 2022 në 300 miliardë lekë në vitin 2023”, u shpreh kreu i PL.

Sipas tij, mbiçmimi i Lekut gjatë muajve Maj-Qershor-Korrik-Gusht, i ndikuar gjerësisht nga ekonomia informale dhe pastrimi i parave, ka ndikuar në krizën e sektorit të eksporteve.

“Një shqetësim madhor vazhdon të mbetet niveli i lartë i papunësisë për moshat e reja deri në 29 vjeç.
Papunësia e të rinjve edhe në tremujorin e dytë të vitit 2023 ne nivelin 22.3%, mbetet e lartë, që duke marrë parasysh edhe nivelin e lartë të emigracionit të kësaj grupmoshe, tregon për një krizë sociale për të gjithë të rinjtë që jetojnë në Shqipëri.
Dhe qeveria nuk tregon asnjë vëmendje për këtë dramë sociale.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Gusht është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë.
Çmimet e ushqimeve vazhdojnë rritjen galopante, duke shënuar në nivel vjetor një rritje prej gati 8%”, tha Meta.

Kreu i PL theksoi se rritja e lartë e vazhdueshme e çmimeve kryesisht të atyre ushqimore ka rritur më tej varfërinë e grupeve më të prekura të shoqërisë duke thelluar me tej përjashtimin e tyre social, si dhe ka ulur cilësinë e jetesës së shtresës së mesme.

“Ecuria demografike e vendit, duhet trajtuar si një interes strategjik kombëtar, pasi Shqipëria në 10 vitet e fundit po goditet në palcë prej emigracionit dhe ritmeve shumë të ulëta të lindjeve.
Numri i lindjeve në tremujorin e dyte të vitit 2023 është 5.119 lindje, duke shënuar në vazhdimësi një rënie me 8,2 %, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2022.
Qeveria shqiptare nuk ka vëmendje për të krijuar një model ekonomik zhvillimor që sjell mirëqenie dhe punësim për qytetarin, por vazhdon ti shërbejë një ekonomie informale dhe të oligarkëve.
Kjo mos vëmendje e qeverisë ka sjellë si rezultat largimin e të rinjve dhe thellimin e papunësisë tek moshat e reja, rënien demografike dhe humbjen e perspektivës për zhvillimin e vendit”, deklaroi Meta.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here