Vdekja e 3-vjeçarit në Tiranë pas një ndërhyrjeje dentare me anestezi totale, ka shokuar dhe tronditur opinion publik. Sipas familjarëve, i vogli i është nënshtruar një ndërhyrjeje në dhëmb, për 9 orë me anestezi totale, në një klinikë private të mjekut Roland Xhaxho. Më pas ai ka shfaqur komplikacione, dhe pasi është dërguar në QSUT, ka ndërruar jetë. Paraprakisht dyshohet se shkak mund të jetë doza e lartë e anestezisë, e cila i ka prekur mëlçinë.
Ndërkohë në rrjetet sociale, kjo klinikë shpërndante herë pas here postime ku bënte reklamë për ndërhyrjet që kryheshin me anestezi totale.
“Suksesi vjen nga puna! Sot jemi të lumtur të themi se PO, jemi te vetmit në Shqipëri për kujdesin dentar tek pacientë me aftësi ndryshe, autik, doën, pacientët odontofobikë (ata që kanë frikë ndaj dentistit), pacientët me probleme në zemër, bypass, valvula, si dhe pacientët diabetikë!
Brënda Spitalit të Zemrës kryhen të gjitha shërbimet dentare nën anestezi totale për këto kategori. Teksa flini, Klinika Dentare Dr.Ina Xhaxho zgjidh problemet tuaja dentare dhe rikthejnë shëndetin tuaj dentar”, thuhet në një nga postimet e bëra në Facebook.