Kundërpërgjigjia e Belerit/ SPAK heton hotelin e çiftit Gaçi-Xhaçka në Dhërmi

0
417

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, bashkëshort i ish-Ministres së Jashtme, Olta Xhaçka nuk preferoi t’u flasë gazetarëve kur doli nga godina e SPAK, por thirrja e tij në prokurori hap siparin e një beteje të paralajmëruar për pronat e Himarës, që kur Fredi Beleri nisi fushatën për bashkinë.Nga qelitë e burgut, Beleri ka firmosur një kallëzim për falsifikim dokumentash të truallit në Dhërmi, ku është ngritur hotelit me 5 yje në pronësi të Artan Gaçit.

Gaçi u shpall investitor strategjik nga qeveria Rama për këtë hotel dhe kjo çoi në kërkesën e opozitës për heqjen e mandatit të bashkëshortes së tij, Olta Xhaçka me pretendimin e konfliktit të interesit.

Banori i Himarës që i shiti tokën Artan Gaçit dyshohet se ka përfituar nëpërmjet falsifikimit 4 mijë e 600 metra më shumë nga sa i takonin, thuhet në kallëzim. Ai quhet Foto Pavllo Mëhilli dhe sipas këshilltarëve të opozitës është ndihmuar nga Artan Gaçi dhe Jorgo Goro për falsifikimet.

“Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mehilli figuron e ndarë një parcelë në vendin Perivolo me nr e ngastrës 36/36/1 me sipërfaqe 5512 m2 e ndarë si tokë truall. Në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht në referim dhe kuptim të Ligjit 7501 dt 19.07.1991 “Për Token”, ndarja e sipërfaqeve tokë truall. Një ndarje e tillë është absolutisht e paligjshme, e pavërtetë dhe një nga provat se jemi përpara një AMTP-je të falsifikuar. Komisioni i Tokës në Fshat në kohë, nuk mund te dispononte kurrsesi mbi një sipërfaqe toke truall, sikundër nga ana tjetër, kjo sipërfaqe ku është regjistruar AMTP në fjale në vitin 1994, momenti që gjoja është ndare me AMTP, kjo parcelë nuk ka qenë kurrë tokë truall” thuhet në kallëzim.

Për të njëjtën çështje u thirr në SPAK të enjten, Jorgo Goro, aktualisht kryetar në detyrë i bashkisë së Himarës. Beleri e akuzon se ka nënshkruar planvendosjen, që konkludoi nga falsifikimi i dokumentave.

Lexo edhe: Investimi strategjik: Plazhi në Dhërmi u përfitua nga ‘kunata’ e ministres Xhaçka

Lexo edhe: Hoteli me 5 yje i çiftit Xhaçka-Gaçi bëhet problem i partisë

Lexo edhe: Burri investitor strategjik, Xhaçka: Shpifje, s’kam shkelur asnjë ligj

Lexo edhe: Resorti në Dhërmi, Artan Gaçi: ‘Unë jam investitori strategjik’

“Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi” thuhet në kallëzim.

Ish-këshilltari demokrat, Skerdjan Dhuli duke folur në Syri Tv shpjegoi se informacionet e para për këtë kallëzim u verifikuan nga këshilltarët opozitarë të bashkisë, pasi Xhaçka mbajti qëndrime që ai i quajti “nacionaliste” pas arrestimit të Belerit. A

“Që prej ditës që z. Beleri është arrestuar, Olta Xhaçka mori flamurin e mbrojtjes së kauzës nacionaliste që përmbledh gjithë kjo historia e zgjedhjeve të Himarës, – tha Dhuli, – dhe ne u bëmë kuriozë se cili ishte interesi i këtij personi. Sigurisht që informacionet i kishim nga terren. Informacioni ishte që bashkëshorti i saj, ish-deputeti i PS, Artan Gaçi, kishte marr një pronë me letra të falsifikuara dhe në një moment të caktuar, bëmë kallëzimin penal” tha Dhuli.

Sipas tij, falsifikimi është shumë i lehtë për t’u verifikuar dhe kjo është një histori që përsëritet në zhvillimin e pronave të Himarës. Dhuli tha se Gaçi u kallëzua, sepse ka ndikuar që prona e banorit të Dhërmiut të shumëfishohej, pasi ishte rënë dakort për blerjen e saj.

“Ky shtetas, Pavllo Mihali, nuk i bënte dot letrat, pronës dhe ia shiti Artan Gaçit meqenëse ai ishte njeri i pushtetit dhe Hipoteka para njerëzve të pushtetit rri sus; hipoteka e Vlorës! Artan Gaçi, për të marrë edhe pronën tjetër që nuk ishte e këtij personi… Që, si ishte e mundur që ky person shet një pronë që nuk është e tij dhe jo pak pronë, po 4600 metra?! I gjithë kallëzimi penal është shumë i thjesht për t’u zbërthyer” tha Dhuli.

Mbetet për t’u parë nëse SPAK do të avancojë me hetimet dhe do të gjejë falsifikime në rastin e hotelit të çiftit Gaçi-Xhaçka. Në këtë rast, kjo çështje do të vërtetonte hipotezat se Fredi Beleri u burgos me urdhër politik, për të shmangur telashet që do të nxirrnin të palarat e investimeve strategjike në pronat e Himarës./Lapsi.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here