Një konflikt midis dy të rinjve ka ndodhur këtë pasdite në lagjen nr. 13 të Durrësit. Ngjarja ka nisur pas një debati banal i cili ka përfunduar në përplasje fizike. Njëri prej personave, 30-vjeçari B. M., ka rrëmbyer një thikë dhe ka qëlluar personin tjetër, një 17-vjeçar, në krah. Adoleshenti është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërkohë që 30-vjeçari është vënë në pranga.
Njoftimi i Policisë:
Plazh, Durrës
Dëmtoi me mjet prerës, një 17-vjeçar, për shkak të një konflikti për motive të dobëta, kapet menjëherë pas ngjarjes dhe shoqërohet në ambientet e Policisë 30-vjeçari. Pasditen e sotme, në lagjen nr. 13, dyshohet se për shkak të një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet shtetasit B. M., 30 vjeç dhe një 17-vjeçari, në ambientet e jashtme të një picerie, shtetasi B. M. ka dëmtuar me mjet prerës (thikë), 17-vjeçarin, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh kanë mbërritur në vendngjarje, kanë kapur shtetasin B. M. dhe e kanë shoqëruar atë, në ambientet e Stacionit të Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Durrësit, për kryerjen e hetimeve të mëtejshme.