Një tërmet prej 6.3 shkallësh të Rihterit ka goditur perëndimin e Afganistanit, duke vrarë mbi 120 persona dhe plagosur mbi 1000 të tjerë, tha një zyrtar, përderisa ka paralajmërime se numri i viktimave të rritet për shkak se është raportuar për rrëshqitje të dheut dhe për njerëz që kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se epiqendra e tërmetit ishte 40 kilometra në veriperëndim të qytetit më të madh të rajonit të Heratit. Tërmeti i fuqishëm u pasua me disa pasgoditje midis 4.6 dhe 6.3 shkallësh të Rihterit.
Autoritetet për menaxhimin e fatkeqësive kanë raportuar se në zonat rurale dhe malore ka pasur rrëshqitje të dheut. Herati gjendet 120 kilometra në lindje të kufirit me Iranin dhe konsiderohet kryeqyteti kulturor i Afganistanit.
Sipas të dhënave të vitit 2019 të Bankës Botërore, në provincën Herat jetojnë 1.9 milion banorë.
Afganistani shpesh goditet nga tërmetet, veçmas në vargmalin e Hindu Kushit, që gjendet afër pllakave tektonike euroaziatike dhe indiane.
Në qershor të vitit të kaluar, mbi 1.000 persona u vranë dhe dhjetëra mijëra të tjerë mbetën të pastrehë pasi një tërmet prej 5.99 shkallësh goditi provincën Paktika. Ky ishte tërmeti më vdekjeprurës që ka goditur Afganistanin në pothuajse çerekshekulli.
Në mars të këtij viti, 13 persona u vranë në Afganistan dhe Pakistan, pas tërmetit prej 6.5 ballësh që kishte epiqendrën në Jurm, në verilindje të Afganistanit.