Shqiptarët që jetojnë në Tel Aviv u kthyen këtë të diel në Tiranë. Avioni i ‘Fishta’ i ‘Air Albania’ u nis nga Tel Aviv me shtetas shqiptarë në bord por ende nuk dihet sesa është numri i tyre. Avioni mbërriti në Rinas rreth orës 18:30.
Ministra e Jashtme ka reaguar për evakuimin e 40 shqiptarëve që jetonin në Tel Aviv drejt Tiranës. Ministria sqaron se do të ketë sërish fluturime të posaçme në Tel Aviv.
‘Sot në mbrëmje ka mbërritur avioni i parë me qytetarë shqiptarë të cilët kanë kërkuar të largohen nga Izraeli pas shpalljes së gjendjes së luftës. Avioni “Air Albania” me 40 pasagjerë, mes të cilëve edhe shtetas nga vendet e rajonit si Kosovë, Maqedonia e Veriut, të ndihmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, dhe Ambasada Shqiptare në Izrael është ulur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” pak më parë. Pasagjerët janë pritur dhe përshëndetur nga Ministri Igli Hasani.
Në ditët në vijim do të ketë sërish të tjera fluturime të posaçme drejt Tel Aviv, ndërkohë që MEPJ është në koordinim edhe ministritë simotra të vendeve të rajonit për tu ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre.’- thuhet në reagimin e ministrisë.
‘Me porosi të Ministrit ka vëmendje maksimale për shtetasit tanë, për punonjësit dhe familjarët e ambasadës si edhe për shtetasit nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut.
Janë orë të vështira për ne këtu në Izrael por në emër të qeverisë shqiptare garantoj shtetasit shqiptarë dhe familjet e tyre, që nën drejtimin e Ministrisë tonë të Jashtme dhe autoriteteve izraelite po ndiqen të gjitha procedurat për sigurinë e tyre, gjatë qëndrimit dhe largimit drejt Shqipërisë’- thuhet në reagim.
Prej dy ditësh, Izraeli është në flakë nga sulmet e dirigjuara nga militantët e Hamasit nga Palestina. Deri më tani janë 600 izraelitë të vrarë, mbi 2000 të plagosur dhe 100 pengje. Nga ana tjetër nga sulmet hakmarrëse izraelite në Rripin e Gazës raportohet se janë vrarë 370 palestinezë dhe 2200 të plagosur.