Mbrëmë janë mbyllur ndeshjet e xhiros së shtatë në grupet kualifikuese për Europianin “Gjermani 2024”. Në përfundim të këtyre ndeshjeve faqja e specializuar, që merret edhe me vlerësimin e futbollistëve gjatë ndeshjeve, “SofaScore”, ka publikuar formacionin më të mirë të kësaj jave.
Përzgjedhja bëhet sipas kriterit të pikëve dhe vlerësimet që kjo faqe u bën të dhënave të futbollistëve gjatë ndeshjeve të luajtura.
Ajo që bie në sy është se në këtë formacion më të mirë të raundit të shtatë të kualifikuesve të Europianit janë edhe dy futbollistë shqiptar, portieri i Shqipërisë Etrit Berisha, si dhe sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica.
Berisha, me paraqitjen e tij në fitoren madhështore 3-0 ndaj Çekisë, ka rezultuar portieri më i vlerësuar i xhiros së shtatë të kualifikueseve për “EURO 2024”. “Gardiani” kuqezi është vlerësuar me notën 8.6. Ndërsa Milot Rashica rezultoi lojtari më i vlerësuar i “Dardanëve”, 9.8, në fitoren 3-0 që Kosova arriti në Andorra. Nga ky formacion i javës bie në sy që vetëm Turqia, që fitoi 1-0 në Kroaci, ka dy lojtarë në 11-shen më të mirë.
Formacioni i raundit të shtatë kualifikueseve të “EURO 2024”:
Berisha, Akajdin, Balodis, Bardakçi, Smith, B.Fernandes, Aursnes, Sirvis, Mbape, Rashica, Lukebakio.