Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mërkurën, që bën thirrje për një “pauzë humanitare” në konfliktin e furishëm Izrael-Hamas pasi teksti nuk respekton të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, tha ambasadori amerikan.
Dymbëdhjetë nga 15 anëtarët e Këshillit votuan në favor të rezolutës së paraqitur nga Brazili dhe negociuar gjatë disa ditëve, ndërsa Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar abstenuan. Dhe Shqipëria mbajti një qëndrim parimor. Pavaresisht votës kundër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që mbështeti Izraelin dhe të drejtën për mbrojtje të tij dhe abstenimit të Britanisë së Madhe, Shqipëria u rendit në kahun e vendeve që dënojnë çdo sulm ndaj civilëve, si edhe aktet terroriste të Hamas kundër Izraelit.
Shqipëria votoi pro rezolutës që kërkon respektim të ligjit ndërkombëtar për civilët, përfshirë dhe personelin mjekësor dhe kërkon akses për organizatat humanitare për të dërguar ndihma.
Shtetet e Bashkuara ishin kundër, por si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit vota llogaritet si një veto.
“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera që kjo rezolutë nuk përmend të drejtat e Izraelit për vetëmbrojtje”- tha Linda Thomas-Greenfield, ambasadore e SHBA.
“Projekt-rezoluta nuk është miratuar për shkak të votës negative të një anëtari të përhershëm të këshillit”- Sergio Franca Danese, ambasador brazilian në Kombet e Bashkuara.
Rezoluta kërkonte që Këshilli “dënon me vendosmëri çdo dhunë dhe armiqësi kundër civilëve dhe të gjitha aktet e terrorizmit”. Rezoluta e propozuar nga Brazili vendi që mban presidencën e Këshillit të Sigurimit thotë se organi “kundërshton dhe dënon pa mëdyshje sulmet e tmerrshme terroriste nga Hamasi… dhe marrjen e pengjeve”. Teksti gjithashtu “i kërkon të gjitha palëve që të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar.”
Votimi vjen pasi Këshilli i Sigurimit hodhi poshtë të hënën një rezolutë ruse që dënon dhunën spirale në Lindjen e Mesme. Kjo rezolutë nuk e veçoi Hamasin për sulmin e tij të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor, dhe ajo u refuzua nga anëtarët e përhershëm, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, si dhe Japonia.