Taksa e tokës bujqësore rritet deri 78% më shumë nga sa paguhet

0
244

Me projektligjin e ri për taksimin e pasurive të paluajtshme rriten detyrimet e taksës edhe për pronarët e tokës bujqësore dhe tokës pyjore. Do të përjashtohen nga taksa, tokat bujqësore që mbillen me kultura drufrutore dhe vreshtari për pesë vitet e para nga çasti i mbjelljes.

Niveli aktual i taksës për tokën bujqësore është 5,600 lekë për ha në vit. Si për një pronar toke me sipërfaqe 1 ha në bashkinë e Tiranës apo në Lushnjë detyrimi vjetor për taksën është 5,600 lekë. Drafti i ri parashikon që për të gjitha parcelat, që përfshihen në kategorinë e pronave bujqësore – blegtorale, shkalla e taksës mund të variojë në shkallët nga 0,1% deri në 0,3%.

Formula e re parashikon llogaritjen e taksës sipas shkallëve të propozuara mbi vlerën e tokës për metër katror sipas çmimeve të tregut. Niveli i taksës caktohet në lekë për hektar. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e taksueshme.

Baza e taksës për tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore, në hektar, në pronësinë ose posedimin e taksapaguesit. Sipërfaqja e tokës në pronësi përcaktohet sipas dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë. Në rast të mungesës së dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë, poseduesi i tokës bujqësore bën një vetë-deklarim të sipërfaqes së tokës bujqësore, pranë Bashkisë ku ndodhet toka.

Detyrimet për tokën bujqësore sipas shembujve të shpërndarë nga Ministrisë e Financave në dokumentin “Reforma e Taksës së Pasurisë” për bashki të ndryshme do të rriten nga 25 deri 78% nga sa paguhet aktualisht.
Për taksapaguesin që disponon 1 ha toke bujqësore, në bashkitë Tiranë duke supozuar aplikimin e shkallës më të ulët të taksës për atë kategori 0,1% detyrimi vjetor do të jetë 10,000 lekë.

Çmimi i tokës është marrë 1,000 lekë për metër katror x 10,000 metra katror (apo 10 ha) vlera e taksueshme është 10,000,000 lekë. Detyrimi i taksës është 0,1%x 10,000,000.

Për bashkinë Lushnjë ku çmimi i tokës është 700 lekë për metër katror. Detyrimi vjetor i taksës për 10 ha tokë është 7,000 lekë. Krahasuar me pagesën aktuale detyrimi rritet 25%.

Projektligji parashikon të njëjtën formulë llogaritje edhe për tokën pyjore.

Për të dyja kategoritë e tokës bujqësore, drafti parashikon që 50% të detyrimit të ri, pronari i truallit të shtëpisë ta paguajë vitin e parë të zbatimit të ligjit dhe 50% të detyrimit të mbetur vitin e dytë./D.Azo

Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here