Analisti Fatos Lubonja ka komentuar aksionin e fundit të opozitës, e cila ka nisur me qëndresën e deputetëve në Parlament.
I ftuar në News24, ai u shpreh se duhen akte ekstreme, duke perëndur grevën e urisë, që sipas tij është një formë që nuk mund t’i dalësh kundër.
“Në këtë situatë kërkohen akte ekstreme. Greva e urisë është një akt ekstrem. Problemi është sesa edhe këto akte mund të arrijnë të sensibilizojnë. Kemi parë dhe protesta të fuqishme… kështu që nuk mund t’i dalësh kundër këtyre akteve, është akt i fuqishëm greva e urisë, tërheq vëmendje dhe nuk mund t’i dalësh kundër. Situata është e tillë dhe kërkon sensibilizim dhe akte ekstreme. Pastaj sa do të përfillen dhe sesa i ndjek publiku… Rama ka punuar për ta delegjitimuar këtë opozitë dhe për të qenë ai i pari në lojë. Duhet të jetë një grevë urie tamam, jo me ushqim nga pas”, u shpreh Lubonja.
Po ashtu Lubonja komentoi edhe Samitin e Berlinit në Tiranë, ku tha se ishte një show propagandistik që i shërbeu kryeministrit Edi Rama dhe liderëve Perëndimorë.
“Ishte një show propagandistik i dyanshëm. Jo vetëm nga ana jonë por edhe nga ana e politikanëve Perëndimorë. Erdhën për të mbajtur gjallë atë utopi që e quaj unë, si një lugë bosh. Ata vijnë dhe na thonë që do bëjnë kështu e ashtu, por kur?
Dhe harxhimet që bën, se jemi vend i varfër… Ky samit i shërbeu edhe kryeministrit edhe Perëndimorëve. Një mbajtje gjallë e kësaj utopie. Shohin andej, e jo nga erdoganizmi dhe putinizmi, por taktikat janë ato.”, përfundoi Lubonja.