Nga Tritan SHEHU
Po lexoj për disa arrestime të lidhura me “kontrabandë” të medikamenteve. Pa dyshim që futja e medikamenteve ilegalisht, jashtë kontrollit, për tregti, është një veprim i dënueshëm. Por fatkeqësisht shteti ynë është stimulues kryesor i këtij aktiviteti jashtëligjor:
1- Në Shqipëri, shumica e medikamenteve në qarkullim e veçanërisht të rimbursueshme janë të origjinës së pasigurt. Lista e substancave aktive të rimbursueshme është tejet e shkurtër, rreth 20 herë nga ajo që duhet, e dominuar dhe kjo nga medikamente të origjinës jo të sigurt. Po kështu edhe prodhimi vendas nuk përmbush standartet e GMP etj. të EMA.
2- Dhe për më keq, për arsye korruptive pengohet regjistrimi automatik i medikamenteve të çertifikuara nga EMA ose FDA, që qarkullojnë në vende të sigurta, duke dashur të stimulohet ai nga origjina jo të sigurta. Në një kohë kur politikat e importeve për ato duhet të jenë të bazuara në moton “liberalizim i kontrolluar”.
Këto bëjnë që dhe lista e barnave të jetë shumë herë larg nevojave si dhe të dominohet nga medikamente pa çertifikimin nga EMA apo FDA, të ndaluara të qarkullojnë në vendet e BE e të tjera të sigurta. Kështu krijohet artificialisht një gjendje që bie ndesh me nevojat e popullatës për një gamë të gjerë medikamentesh, për sigurinë e tyre, si kudo në vendet evropiane e në përgjithësi.
Në këto kushte krijohen premisat për futjen ilegale të medikamenteve për tregti. Një shtet i paaftë e i korruptuar krijon kështu premisa për shumëfishimin e veprimtarive ilegale edhe në farmaceutikë.