Dy të rinj të arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi pak ditë më parë në Vlorë dolën sot para gjykatës. Ata akuzohen për abuzim seksual ndaj një 26-vjeçareje. Gjykata vendosi t’i mbajë burg.
Masa e sigurisë për Oltjan Tahirin dhe Albi Cenon u dha në gjykatën e Shkallës së Parë në Vlorë, ndërkohë që në kërkim është shpallur Gentjano Mehmeti dhe një 36-vjeçar.
Gjithçka nisi të shtunën, ku një 26-vjeçare u paraqit pa ndenja në urgjencën e Vlorës. Ishte recepsionisti i një hoteli që njoftoi rastin në fjalë, se një vajzë ishte pa ndjenja në hotel.
Pas 24 orësh, e reja u përmend dhe tregoi në lidhje me ngjarjen, por më pas e tërhoqi denoncimin. Ngjarja në fjalë duket se ka marrë përmasa edhe më të mëdha, pasi në konflikt është përfshirë dhe një gazetare, e cila denoncoi rastin.
Një televizion lokal në qytetin e Vlorës, përmes një postimi në rrjetet sociale kishte denigruar dhe fyer gazetaren, duke e akuzuar për stisje të ngjarjes, me pretendimin se ishte akuzuar dhe djali i pronarit të këtij biznesi.
Pas këtij postimi, ka pasur reagime të shumta në opinion. Ndërkohë, pronari i televizionit lokal në Vlorës, përveç postimit në rrjetet sociale, mësohet se i ka dërguar gazetares dhe një mesazh me përmbajtje kërcënuese: ‘Jemi në gjak’.
Sakaq, ndaj këtij personi ka nisur një procedim penal dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.