Kandari i SPAK, përballja burrërore e Berishës dhe ferra që çau Tigri i Boratit

0
926

Nëse hap sot secilin prej portaleve të qeverisë në çdo dy lajme njëri është për Berishën dhe Malltezin. Artikullshkruesit e shumtë (herë me emër dhe herë anonimë) i kanë paraqitur publikut edhe detajin më të imët të çështjes.

Shqiptarët sot dinë me saktësi matematike se sa metër katror pallat ka përfituar Malltezi nga kontrata e ndërtimit, se sa pare ka tërhequr kesh dhe sa nëpërmjet llogarive bankare, se sa ka paguar paradhënie për garsioneren e vajzës studente, etj., etj.

Sigurisht shumat dhjetëra mijëra dollarë, apo miliona dollarë ngjajnë në pamje të parë sugjestionuese, por a janë ato realisht të tilla?! Mbi të gjitha, a ka gjella atë shije me të cilën e servirin kuzhinat e Karlove dhe Merove?!

Berisha ishte Kryeministër i plotfuqishëm. Personalisht, jo gjithmonë e kam pëlqyer stilin e tij të drejtimit që më është dukur shpesh herë autoritar. Por për një gjë jam i sigurt. Nëse pushtetari autoritar Sali Berisha do të kishte patur ndërmend të vidhte, vetëm buxheti i shtetit që ka pasur në dispozicion përgjatë tetë viteve të qeverisjes ka qenë disa dhjetëra miliardë euro. Sikur vetëm 0.1% të këtij buxheti të kishte vjedhur, Sali Berisha do të kishte sot një pasuri prej disa dhjetëra milionë euro!

Një tender i KESH-it për blerje energjie shkon në dhjetëra milionë euro. Një kryeministër hajdut (dhe hajdutë e pijanecë kemi pasur jo pak kryeministra) vetëm me një tender të KESH-it u përfol se vodhi disa milionë euro. Po rrugët, ndërtimet dhe veprat e tjera madhore infrastrukturore që u ndërtuan në kohën e Berishës?!

Berisha sikundër çdo politikan tjetër shqiptar ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta në qeverisje. Por imazhi i tij nuk ka qenë kurrë ai i një hajduti. Kundërshtarët janë munduar ta përbaltin dhe ia kanë arritur qëllimit, por një njeri me logjikë të ftohtë analizon si më poshtë:

Po e pranojmë Berishën hajdut! Cila do të ishte rruga më e shpejtë e pasurimit si hajdut për një politikan autoritar?

Duke ndryshuar ligje të tëra dhe vendime pas vendimesh në favor të dhëndrit të vet?! Duke kërcënuar presidentë klubesh dhe trajnerë?! Duke lënë gjurmë kilometrike “abuzimi” me detyrën dhe “shkeljesh” të supozuara?!

Apo thjesht duke përcaktuar fituesin e një tenderi për të futur në xhep 20%-in, të cilin e shpikën paraardhësit e rilindësve nëpër bashki dhe qeveri dhe për të cilin u bë i famshëm edhe vetë Borati si kryetar bashkie?!

***

E vërteta qëndron se Sali Berisha po të ishte hajdut, nuk kishte nevojë t’i bënte shantazh një ekipi të kategorisë së tretë që dhëndri i vet, pas vitesh të tëra biznes të fitonte 5 milionë euro! Këto 5 milionë një Berishë në variantin hajdut mund t’i fitonte me një firmë të vetme!

Dhëndri i Sali Berishës, po të donte të bënte hajdutëri, dilte dhe bënte sekserin për firmat e vjehrrit dhe 5 milionë euro mund t’i kishte fituar me një aferë të vetme!

Për paralelizëm, vetëm një çift pensionistësh 80-vjeçarë pastruan 30 milionë euro nga tenderi i djegësve, ose secili pensionist pastroi i vetëm në pak muaj trefishin e fitimit të Malltezit nga një biznes disa vjeçar!

Secila nga dy aferat e Boratit, ajo e djegësve dhe e koncesioneve të shëndetësisë vlerësohet në 500 milionë euro, ose 100-fishi i aferës së supozuar të Berishës dhe Malltezit!

Nëse Boratit dhe boratëve po u dhimbset sot kompleksi “Partizani” përse figurojnë firmat e tyre në lejet e ndërtimit të kullave?! Këta dashnorë të sportit, ku e kanë kompleksin sportiv “Ali Demi” dhe dhjetëra fushat e tjera sportive të zhdukura në 20 vjet qeverisje rilindëse të Tiranës?!

Nëse Berisha gjykohet si “kriminel” se shkatërroi një kompleks stërvitor dhe ndërtoi 17 kulla, çfarë mund të thuhet për Boratin që po shkatërron dhe po shet Portin e Durrësit?! Edhe njëherë e përsërit: kush ka bërë më tepër dëm, afera e supozuar 5 milionëshe e Berishës, apo dy aferat e provuara 500 milionëshe të Boratit?!

Cili objekt ka rëndësi më të madhe strategjike për Shqipërinë, kompleksi sportiv “Partizani” apo Porti i Durrësit?!

***

Pavarësisht se e vlerësoj Sali Berishën si politikan dhe burrë shteti, pa folur drejtësia (qoftë kjo edhe drejtësia e Boratit) unë nuk mund të them nëse Berisha është ose jo fajtor për akuzat që i janë ngritur. Ama e di me siguri se ai nuk çau ferrën si Tigri i Boratit për t’u bërë gazi i botës dhe turpi i shqiptarëve.

Jamarbër Malltezi mund të rezultojë fajtor ose jo për akuzat e ngritura, ama ai nuk ishte asnjë sekondë të vetme ministër apo zyrtar i lartë në ndonjë prej qeverive të vjehrrit të vet. Ai bëri biznes si qindra e mijëra shqiptarë të tjerë, fitoi pare dhe, nëse gjatë këtij procesi ka kryer ndonjë akt korruptiv ose ka fshehur të ardhura, le të dënohet sipas ligjit.

Ama si Berisha, ashtu edhe Malltezi, të cilët po përballen burrërisht me drejtësinë, kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm dhe të mos linçohen nga portalet e paguara nga ai të cilit i janë provuar tashmë përtej çdo dyshimi 1 miliard euro abuzime vetëm me dy afera!

Shqiptarët presin drejtësi nga GJKKO dhe SPAK! Nëse këto dy institucione nuk peshojnë dot siç duhet dëmin që ndoshta ka bërë Berisha me 5 milionë euro përkundrejt dëmeve me vlerë 500 milionë euro që ka bërë Borati, shqiptarët kanë të drejtë të dyshojnë se “kandari” i SPAK-ut nuk i ka të gjithë veglat në rregull!

***

Kushdo që ka dy pare mend sot është bindur se Boratit dhe boratëve pak ua ndjen për drejtësinë. Synimi i tyre është të eliminojnë pengesën e vetme që u ka mbetur në rrugën drejt vendosjes së diktaturës së plotë, Sali Berishën.

Nëse ata do t’ia dalin në këtë synim, pasojat dihen: shpopullim i Shqipërisë, shitje e interesave kombëtare dhe bashkëqeverisje me oligarkinë dhe mafien ndërkombëtare të drogës!

E vetmja pengesë në këtë qëndrim djallëzor janë shqiptarët. Ata duhet të ngrihen në protesta edhe më të fuqishme se ato që përmbysën komunizmin në vitin 1991.

Jo për Sali Berishën dhe Jamarbër Malltezin! Për veten dhe për fëmijët e tyre!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here