Një shënim për gjermanin Krichbaum, që humbi metaforën dhe busullën në Tiranë

0
637

Nga Alfred Lela

Kam një shpresë, ose dëshirë, që deklarata e sotme e deputetit gjerman Gunther Krichbaum të jetë një ‘humbje në përkthim’. Sepse një deputeti, sidomos kur ai është edhe gjerman edhe jurist, të parët të njohur për saktësinë dhe të dytët për dijeninë (të ligjit në këtë rast), nuk i shkon qarkullimi i përçartjeve, ku hahen dhe nuk ndahen, politika e ditës, historia famëkeqe e popujve tanë, dhe lobingu.

 

Paralelja që z. Krichbaum heq, duke evokuar nazizmin dhe Bundestagun e asaj kohe, për të ilustruar një betejë politiko-ligjore të ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, është e pagjetur, ose e gjetur në rrëmbimin që një gjermaniku morbid i shkakton ballkanikja sanguine. Edhe fatkeqe është pak, pse i kujton Gjermanisë së tij një epokë të errët, por edhe pse shembulli që sjell shkon kundër asaj që zotëria don të kumtojë. Po e citoj: “në kohën e Gjermanisë naziste, kur deputetë gjermanë u dërguan në burg, nazistët kishin shumicën në parlament”.

Po pra, dhe kjo është droja e sotme kryesore, e atyre që kundërshtojnë procesin kundër Doktor Berishës. Në kushtet kur socialistët kanë shumicën në Parlament, kur zotërojnë ekzekutivin, kur kontrollojnë pjesën më të madhe (në mos të gjithën) e medias mainstream, kur ka dyshime të forta dhe të arsyeshme se kanë një dorë bajagi të gjatë në punët e gjyqësorit, ekziston frika se mbipushteti mund të cënojë të drejtat dhe liritë e individit apo pakicave, siç ndodhi në Gjermaninë naziste apo Shqipërinë komuniste.

Shembulli hitlerian duhej t’i shërbente z. Krichbaum për të bërë paralelen dhe vënë alarmin, jo për të folur nga ‘katedra e gjermanishtes’, si dikush që i intereson e sotmja për të sotmen, jo edhe për të shkuarën e të ardhmen.

 

Është, të paktën, intelektualisht e pandershme. Politikisht dhe konjukturalisht, secili bën hesapet me interesat dhe nevojat.

 

Një moment tjetër, që më shton keqardhjen, është kujtimi i takimit të para disa viteve me deputetë të Bundestagut, një vizitë e organizuar nga një Fondacion gjerman me zyra në Tiranë për një grup gazetarësh nga këtu. Nuk më kujtohet nëse ka qenë edhe z. Krichbaum pjesë e turit të takimeve (duhet të konsultoj fotot e asokohe), por në bisedat ‘off record’, gjermanët mbronin idenë se Basha, shefi i PD atëbotë, ishte një ‘politikan i korruptuar’. Nuk më gëzonte ky qëndrim atëherë, siç më trishton edhe ky që mbahet tani.

Kur dikush nga ai grup del disa vite më vonë në krah të Bashës për të shpërndarë nuska integriteti falas, humbet shija e së vërtetës dhe triumfon pehlivanllëku.

 

Çka më duket aspak gjermanik, është fakti se politikani i një vendi të madh, si Gjermania, që e ka mbrojtur Shqipërinë, dhe ka ndër opozitarët një simpati të madhe, sillet si lobist për një vakt, jo si shtetar për një kohë.

 

Sigurisht, e njoh dhe nuk e anashkaloj dot kontekstin e madh të botës sonë. Politika nuk ndërtohet më mbi ‘policy’ (politika), por mbi interesa dhe lobingje, nga ato private e deri te të korporatave të mëdha dhe të shteteve kombëtare apo superstrukturave supranacionale.

Trishtimi për atë që di, dhe nuk ke fuqi ta ndryshosh, lehtësohet duke thënë atë që di dhe mendon. Këtë shpresoj të mos na e marrin me qeveri, SPAK apo politikisht korrekten e fjalorit, gjithnjë e më kufizues të ‘ndërkombëtarishtes’.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here