Nga Agim Xh. Dëshnica
Në librin “Historia e Letërsisë Shqiptare-1983”, emrat e ndritur e dijetarëve poetë, At Bernardin Palaj e At Donat Kurti, të njohur qysh në vitet njëzetë për veprat në shërbim të kombit, nuk përmenden askund. Në organet e shtypit, si Bashkimi, Drita, revistat Nëntori e Ylli, botoheshin lavde për njerëz pa vlerë dhe herë pas here shkrime kundër poetëve e dijetarëve françeskanë. Gjithsesi, as fyerjet, as mohimi, as heshtja, nuk mundën ta shuanin dritën e penës së tyre të artë. Ajo shndrinte brenda e jashtë Shqipërisë. Aso kohe, Ernest Koliqi shprehej: “Veprimtarija letrare e Françeskâjve, zbuloi visaret e folklorit t’onë. Bashkë me tê zbuloi edhe shpirtin shqiptar të mshehun nder palët e moçme të folklorit edhe n’at shpírt gjet kriteret me gjikue botën e mbrêndshme dhe të jashtme, jetën shqiptare edhe atê të huejen. Shkolla letrare e Françeskàjvet, shqyrtoi traditat e lashta në prizmin e qytetnis dhe u dha Shqiptarvet këshillin e prèm se ato tradita fisnike, me rràjë të thella indoeuropjane, duheshin mbajtë e ruejtë si nji pasuni e madhe shpirtnore prej së cilës kombit i rridhshin tagre nderimi e çmimi në gjinìn e botës së përparueme.” Ndërsa At Anton Harapi shkruante: “ Na Françeskajët jemi nji Urdhën për seri: pësojmë, vuejmë e dajmë kashatën e gojës me popull; kapitali ynë âsht jeta e fjeshtë e ndihma e bâmirsavet; po na teproj gjâ, aty bâjmë nji lemoshë, këtu ngrehim nji kishë e meremetojmë nji qelë, vinë të tjerë, e ndër ato rrafshina, vijojnë veprimin; na atëherë dalim e kërkojmë prap tjera lamije veprimi; pakë na njihet, e shum na shkruhet për mend e për mungesë urtije, por ai themeluesi ynë shi në nji këta gjet e vuni mâ të madhin gëzim”.
Fillim ngazëllyes-mbarim tragjik
Nën emrin “Visaret e Kombit” deri më sot njihen 15 vëllime. Botimi i tyre nisi më 1937 në Tiranë me vëllimin “Kangë trimash e kreshnikësh”, mbledhur nga Karl Gurakuqi e Filip Fishta dhe u mbyll më 1944 me vëllimin XV, “Kangë triminije dhe dashunije”, mbledhur nga Mehmet Sheshori.
Në vargun e artë të këtyre veprave madhore, shkëlqen vëllimi–II, “Kangë Kreshnikësh e legjenda”, botuar më 1937, nga At Bernardin Palaj e At Donat Kurti. Në hyrjen e librit, ata rreshtojnë me nderim nismëtarët, At Shtjefën Gjeçovin. Vinçenc Prennushin e Marin Sirdanin, të cilët, si bletët mblidhnin pasurinë e kulturës së pashkruar shqiptare. Gjithashtu autorët bënë të ditur lexuesin, se për këtë vëllim bashkëpunuan edhe etërit françekanë, si Nikoll Dajçi, Bernard Llupi, Simonn Mikeli, Lonard Shajakaj e Rrok Gurashi.
Në mbarim të luftës, kur u fol për paqe e lumturi, botimi i serisë “Visaret e Kombit” u ndërpre trishtueshëm, sepse autorët e saj të ndritur, që punuan me vetmohim për mbledhjen e krijimtarisë së pasur gojore shqiptare, u ndëshkuan rreptë nga regjimi komunist, disa me humbjen e jetës ose të lirisë, të tjerët u ndaluan të vazhdonin më tej. Veprat u ngujuan në arkiva dhe u shpërdoruan nga të tjerët. Për autorët nuk flitej më në mjediset shkencore, një dukuri kjo e ngjashme me një dënim tjetër mizor: mohim i veprës së tyre, duke shkelur rëndë ligjin e shenjtë të autorit. Edhe sot, në disa botime, siç ndodh me librin “In memoriam, Aleks Buda” 2010, në studimin për rapsoditë e veriut apo eposin e kreshnikëve, emrat e dijetarëve artistë françekanë për çudi nuk shihen kund, kur dihet se mbledhësit e folklorit në botën e kulturës nderohen si poetë të mëdhej. Kështu në një historizëm të Shaban. Sinanit, në kërkim të klasave, edhe në eposin e kreshnikëve, përmenden emra të viteve shtatëdhjetë, shumica e të cilëve nuk janë marrë me këto punë, ndërsa mbledhësit e studjuesit e lavdishëm, si At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, ceken shkarazi vetëm nën emrin “françekanë.” Gjatë leximit pandeh se shkrimi vjen nga koha e luftës së klasave dhe e ndalimit të veprave të mirëfillta kombëtare. Mesa shihet hija e përndjekjes endet edhe sot në mendjen e atyre, që i shërbyen me bindje një kohe të dhunshme.
At Bernardin Palaj e At Donat Kurti në thesarin e artë, “Visaret e Kombit”, në vëllimin II, “Kangë Kreshnikësh dhe Legjenda.”, lanë trashgim 342 këngë. Ata paraqitën në hyrje, edhe një analizë me nivel të lartë shkencor. Japim shkurt një pjesë prej saj: “Lvizja dijtunore-shkruajnë ata- mbi rapsodi, legjenda, prralla popullore filloi ma s’pari, kur vllaznit Grimm botuen Kinder und Hausmaerchen. Prej vjetit 1841 e ktej, me qinda e qinda u mblodhen e u botuen, Maerchen në Germani, Folks-Tales n’Angli, Folventyr në Norvegi, Skazkas në Rusi, Paramythja në Greqi, Fiabe n’Iali, Contes në Francë, Cuentos e Contes në Gadishullin Hiberik e jo vetëm ndër të gjitha viset e Europës, por edhe në n’Azi, n’Afrikë e ndër ma të kthelltat e të rryeshmet krahina t’Amerikës.”
Në krye të rapsodisë “Martesa e Halilit” shihet, edhe ky shënim i tyre: “Kjo rapsodi, e përmbledhun mbas shqyptimit të rapsodve të Curraj, mund të quhet bashkë me martesën e Mujit e me dekën e djalit të tij Omerit, nji ndër ma të bukurat e ma delikatet, qi kemi shqip, nga ky populli poet, me nji disinvolturë klasike- Sa piktura mandej mbrenda kësaj rapsodije! Sa mendimi i njomë e ç’fuqi gjuhe në përshkrim t’objektavet!.”
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar,-2009, të Akademisë së Shkencave, këta poetë dijetarë, përmenden shkurt: “Bernardin Palaj ishte klerik, studjues. Mbledhës i epikës legjendare.” Më tej vijon një percaktim i pasaktë: “Veprimtaria e tij kryesore ishte mbledhja e teksteve të epikës legjendare në v. 1913-1934, të cilën e kurorëzoi me botimin e vëllimit Këngë Kresnikësh dhe Legjenda (1937).” Veçse pak nga pak, e vërteta e fshehur vite me radhë në arkiva, del nëpër dorëshkrime e librat me poezi e prozë, që trajtojnë tema të kulturës kombëtare. Pra, para lexuesve shfaqet nga errësira, poeti i mohuar e shkencëtari i ndeshkuar më 1947, për veprën atdhetare. Ndërsa për At Donat Kurtin, doktor i shkencave, shkruhet me mungesa të dukshme: “Mbledhës e studjues i folkorit, klerik.” Por nga rreshtimi i veprave të shumta, del në dritë, shkrimtari e studjuesi i gjuhës shqipe. Për At Zef Pllumin, njëri qe“Frati, kangëtari, poeti, folkloristi, shkencëtari, zog i rrallë”, e tjetri “ vjollca e letrave shqipe..”
Meditim per poetët e paharruar
Përfytyroni për pak çaste dy poetët e rinj, të kthyer në atdhe nga studimet e larta në Austri, Zvicër e Itali, të cilët marrin përsipër barrën e rëndë, si vëllezërit Jackob e Ëilhelm Grim, kërkimin e mbledhjen e pasurisë kulturore të pashkruar në Malësinë e Veriut. Në vapë e acar ngjiten maleve përpjetë, ndalen në stane e kulla të mirëpritur nga barinjtë e malësorët bujarë. Atje për nder të miqëve rreth vatrës, rapsodët me zë të thekshëm burrash e me lahutë, ua marrin këngëve për kreshnikët e Jutbinës. Atbotë Bernardini dhe Donati shënojnë në letër fjalët në vargje të kohëve iliriane, për Behurin, Omerin, Zukun, Ajkunën, Rushën, Gjergj Elez Alinë, Mujin e Halilin e Jutbinën, ashtu si dikur poetët klasik, hidhnin në pergamen vargjet e Homerit, për Patroklin e Akilin, Paridin, Hektorin. Helenën e Trojën. Mos vallë bardi i verbër mjekërbardhë, endej në malet tona? Poetët tanë françeskanë krahas këngëve mblidhnin legjendat, përrallat, doket e zakonet. Pasi mbaronin punën prej artistësh, ktheheshin të lumtur në qelën e famullisë dhe së fundi arin e mbledhur, e derdhën në një libër të përbashkët me emrin “ Visaret e Kombiit.”
Për shkak të viteve të dhunshme, kjo vepër, mjerisht nuk njihet në gjuhët e huaja, sepse përkthyesit humbën kohën vetëm për kulturën e popujve të tjerë. Nëse një ditë do të lind poeti i madh përkthyes, bota do të njihet me një vepër tjetër me vlera të rralla artistike, krahas veprave, si Iliada, Odisea, Eneida, Gilgameshi etj
At Bernardin Palaj
U lind Shkodër më 1894 në familjen me tradita atdhetare nga Shllaku i Dukagjinit. Mësimet e para i mori në shkollen e Etërve Françeskanë me drejtor At Gjergj Fishtën, në Shkodër. Pas gjimnazit në Seminarin Françeskan, studjoi në Salzburg për filozofi–teologji, kurse në Insbruck të Austrisë ndoqi leksionet në Fakultetin e letërsisë. At Bernarin Palaj më 15 shtator të vitit 1911, përkiste urdhërit françeskan, ndersa në gusht të vitit 1919 u shugurua meshtar. Ai njihet edhe si famullitar në Dioqezen e Pultit e të Rubikut.
At Bernardini u shqua në lëtërsinë dhe kulturën kombëtare, si poet, analist , etnograf, muzikant, etj. Për herë të pare më 1920, në revisten Hylli i Dritës, të drejtuar nga At Gjergj Fishta, boton poezi e studime shkencor që u pritën mirë nga lexuesi shqiptar. Palaj, dha mësime për gjuhën shqipe e latine në Liceun Illyricum në Shkodër. Më 1923, bashkëpunon në gazetën “Ora e Maleve” me Gjergj Fishtën, Ndre Mjedjen, Anton Harapin, Vinçenc Prennushin etj. Bernardin Palaj, u bë i njohur edhe me poemat
“Vorri flamurit“, “Moskë Alkazar”, “ Prej burgut të jetës ,” Ediela e fundit nëAventi” etj. Mbi të gjitha Bernardin Palaj, njihet për bashkëpunimin e shkëlqyer vëllazëror me dijetarin e palodhur Donat Kurtin, në shtegtimet maleve për mbledhjen e 7këngëve e rapsodive shqiptare gjatë një kohe, që zgjati njëzetë vjet. Tërë ai p֝ërkushtim e mund poetësh e dijetarësh u kurorëzua me kryevepren “Visaret e Kombit -II”. Ata botuan, edhe studime për doket e zakonet shqiptare. Më 1940 Bernardin Palaj rreth këtyre temave mbajti ligjërata të përkryera në Kongresin e Studimeve Shqiptare dhe në mbledhje të ndryshme kulturore. Gjatë krijimtarisë së vet, ky dijetar poet përdori edhe anonimet, si Kukel, Lapaj, Konstandinus, Viator.etj.
E gjithë kjo jetë e pasur me krijimtari në sherbim të atdheut, do të shuhej dhimbshëm nga sundimi komunist pa ligje në vendin tonë. Më 1946, u burgos e më 8 dhjetor 1947, u fol se ndërroi jetë nga tetanozi i shkaktuar nga prangat që shtrëngonin duart e arta të atij poeti të paharruar, në qelitë e Burgut të Shkodrës.
At Donat Kurti
U lind në Shkodër më 1903. Mësimet e para e të mesme i kreu në qytetin e lindjes. Pas studimeve në Universitetin “San Antonio” të Romës, më 1927 emërohet mësues. Më 1937 merr gradën Doktor i Shkencave, kurse më 1939 është drejtor i gjimnazit “Illyricum” në Shkodër, deri në vitin 1946. kur u burgos.
Donat Kurti është një nga dijetarët e shquar të kulturës sonë. Prof. Dr. Norbert Jokli e cilësoi si një ndër prozatorët më të mëdhej shqiptarë. Vepra e nisur nga At Shtjefën Gjeçovi u ngrit edhe më lart nga At Donat Kurti në bashkëpunim me At Bernardin Palaj etj. Krahas punës për veprën “Kangë Kreshnikësh e Legjenda”, ai botoi librat “Prralla Kombëtare” në dy vëllime, “Fëmijë të lumtur”, si edhe studimin “Lojna popullore”.
Donat Kurti as në burg nuk e ndërpreu punën e lodhshme shkencore. Atje, i ndodhur ndërmjet të burgosurve nga krahina të ndryshme, mblodhi shprehi të gjuhës shqipe dhe përgatiti një fjalor frazeologjik me nivel të lartë shkencor të gjuhës shqipe, me 45000 shprehje të rralla, një për Universitetin e Tiranës, dhe një për vete. Por fjalori i punuar me aq mund, ra në duar plagjatësh. At Donat Kurti deri në fund të jetës më 1983, në Tiranë, i ruajti të gjitha vetitë e burrit të ndershëm, i përkushtuar Zotit dhe atdheut.
Përfundim
At Bernadin Palaj e At Donta Kurti, këta mbledhës të palodhur atdhetarë ndër male e këngëve të kreshnikëve, me prirjet e tyre prej poetësh, zbuluan një visar të pasur të poezisë së pashkruar artistike veriore shqiptarë. Sipas tyre rapsodët e kreshnikëve me frymëzimin e tyre poetik, me trajtimin artistik, me vargun e rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, krijuan vargje nga më të çmuarat të poezisë sonë popullore. Ndërkohë me aftësinë prej dijetarësh Palaj e Kurti, gjatë studimit të gjuhës, sqaruan se emri Halil, do të thotë “i bukur”, ndërsa Gjergj Elez Alia, sipas mbiemrit do të thotë, “i lartë, fisnik”, ndërsa me fuqinë e trimërinë legjendare dhe me armët e kreshnikëve, ata përcaktuan kohën e krijimit e cila përkon me kalimin nga ilirishtja te shqipja para dyndjeve sllave, me ndikime të herëshme osmane dhe traditën kulturore shqiptare. Pra, sipas tyre, në epikën heroike vendin qendror e zënë rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji, Halili e Gjergj Elez Alia, ku zakonisht zhvillohen bëmat me kundërshtarët e tyre, “kralë” e “bajlozë.”
Me Visaret e Kombit At Bernardin e At Donat Kurti, mundën të plotësonin një nga pjesët e pashkruara e më të vështira të historisë, të qenies e kulturës së kombit shqiptar, qysh nga thellësitë e errta të mesjetës. Pra, për tërë këtë veprimtari, gjithmonë në shërbim të kombit shqiptar, regjimi komunist i burgosi të dy këta dijetarë të shkencës albanologjike, me akuza të bazuara mbi një varg të pavërtetash. Prokurorë e gjyqtarë pa kulturë, të cilët u shfaqën me turfullimë pas luftës civile, e akuzuan “armik i popullit“, poetin atdhetar Bernardin Palaj me shërbesa fetare pranë besimtarëve në vise të thella malore. Ndërkohë dijetarin albanolog, Donat Kurtin, i huaj ndaj çdo politike, e akuzuan si “themelues” i një partie të paqenë me emrin “Partia Demokristiane”. Këto i shoqëruan me sajime, siç qenë gjetja e armëve në kishë, vepër tinzare e sigurimit të shtetit, apo shpifja si bashkëpuntorë të revistës “Hyllit të Dritës” në shërbim të pushtimit italian. Para trupit gjykues ata qendruan si burra malësije. Doktor Donat Kurti midis të tjerash u tha: “Nuk kam punue për fashizmin…Prej jush nuk pres kurrnji të mirë, edhe pse deri më sot nuk i kam ba kurrkujt keq. Mue nuk më ban përshtypje as vdekja, as burgu, por më vjen keq se më mbeti puna përgjysë. Të gjithë jetën time, të gjithë talentin tim e kam shkri vetëm për t’i shërbye popullit shqiptar, pa marrë parasyshë sakrificat e privacionet.”
Por shkaku i vërtetë për burgosjen e dy atdhetarëve, lexohet qartë në hyrjen e veprës Kangë Krreshnikësh dhe Legjenda:”Kangët e vjetra, që njifen prej malcorve, nën emnin“kangë kreshnikësh, kangë të moçme, kangë lahute, janë visari ma i çmushmi i gjuhës, shprehja ma e gjalla, e shum ndiesive bujare e përfytyrimit typik i fizionomisë së kombit t’onë.
Mbas nji shqyrtimi të kujdesëshëm vehet re, se ndër kto kangë mshehet ndjesija për pamvarsi, pse gjithkund del në shesh lufta e blokut të fisevet shqiptare Mal i zi-Shqipni kundra Slavit, që tue kapërcyem Danubin, msyn qëndrën e ktyne fiseve: Jutbinën.” Ky shkrim i botuar më 1937, binte ndesh rreptas me politikën atdhemohuese të “bashkim-vëllazërimit” të vitit 1945.
——-
Japim shkurt dy margaritarë, marrë nga libri Visaret e Kombit: “Gjergj Alez Alia” e ”Martesa e Halilit”, të mbledhura prej tyre ndër lahutarët legjendarë, si bletët lule më lule, nga një mal në tjetrin, vatër më vatër e stan më stan.
GJERGJ ALEZ ALIJA *)
Trim mbi trima ay Gjergj Alez Alija!
Qe nand’ vjet, nand’ varra në shtat m’i ka:
Veç nji motër, natë e ditë te kryet;
I a lan varrat me ujt e gurrës nand-vjeçe;
Ia lan varrat me ata lott e syve;
Ia terë gjakun me ata flokët e ballit;
Shtatin vllaut i a shtrëngon m’ruba të nanës,
N’petka t’babës trupin i a hijeshon,
Armët e brezit i a rendon mbi krye.
—————————————-
A dalë zani e paska marrun dhen,
Se ‘i baloz i zi a dalë prej detit.
Trim i prapët e belagji qi ish’ kanë,
I a ki’ qitun dheut nji rreng të randë:
-Tim për tim kah nji dash të pjekun!
-Tim për tim kah nji vashë me i a djergun!
-Ditë me ditë kah nji kreshnik me premun!
-Javë për javë kah njih krahinë me djegun!
Edhe Gjergji rendi te i ka ardhë,
Me lot faqet trimit m’i u kanë mbushë.
Erzi i shpis qysh lshohet n’dorë t’bajlozit?!
————————————————
Braf, në kambë por djali konka çue:
T’e marrsh gjogun, motër, të mejdanit,
Fill n’gjytet me te, motër, të m’bijsh,
Hypi atit, bjeri n’derë nallban-jaranit. **)
E në sheher çika konka ra.
————–..
A shkue motra te nallaban-jarani
“Falë me shndet, thotë, Gjergji të ka çue:
Kam orokun e mejdanit,
Sa ma mirë ket gjok ti me m’a mbathë!
Thanë m’ka për patkoj prej tumakut; ***)
Me m’i a shti thumbat prej çelikut;
Se do t’dal m’u pre me baloz t’detit!”
Si per vedi gjogun e ka mbathë
Edhe n’pramje çika a dredhë në shpi;
Ka gjetë vllan tu’ e pritë nën hije t’blinit.
Ça kish ba ay trimi Gjergj Alia?
Falë me shndet balozit m’i ka çue:
“Me dalë heret n’at fushën e mejdanit
Çik’ për ty, baloz, nu’ m’ka qillue;
Desht e vathit për ty nu’ m’janë majë;
Sall nji motër, nu’ po muj me lshue,
Varrët e shtatit s’a kush qi m’i lidhë!”
Sa ka nisun drita me zbardhë majet,
N’fushë të mejdanit trimat konkan dalë;
Keq me fjalë trimat shoshojnë po rrekin:
“P’a prej vorrit, Gjergj, ti konke çue…?
Pse me m’qitë, bre burrë, n’ket fushë t’mejdanit?”
Sa mirë trimi i ka përgjegjë balozit:
“Të lumët goja, baloz, mirë po thue!
Pak pa mrrijtë baloz, ti m’ke dredhue:
M’ke lypë motrën para se mejdanin;
M’ke lypë berret para se çobanin;
E jam dredhë n’ket log për me t’kallxue,
Se ne t’parët nji kanu na kan lanë:
Armët me dhanë përpara e mandej gjan!
Kurr balozit motrën mos m’i a dhanë,
Për pa u pre n’at fushën e mejdanit!
Por shtrëngou, baloz, se t’ka ardhë dita,
Se ktu i thonë-o Gjergj Alez Ali!”
E i kan ba dy gjogat tim me tim,
E n’topuz balozi e ka shinue;
N’dy gjujt gjogu Gjergjit te i ka ra;
Përmbi kryet topuzi i ka fjurue;
Dymbëdhetë pash m’ledinë u ngul topuzi;
Dymbëdhetë pash përpjetë si re, u çue pjuhni.
At-herë Gjergjit rendi te ‘i ka ardhë.
Sa mirë trimi n’topuz qi ka dredhë!
Lik përmjet’ balozit te i ka ra;
-A trandë fusha kur a rrxue balozi!-
Me ‘i herë trimi shpatën m’a ka nxjerrun,
Kryet me neje trupit i a ka damun,
Zhag për kambet trupin e ka ngrehun;
Me gjith at m’nji bunar e ka mbytun;
Të tanë lumën gjaku e ka tërzue:
Për tri vjet krejt vendin e ka qelbun.
Qat-herë trimi a nisë me dredhë tu shpija
Edhe shokët të gjith m’i ka bashkue:
—————————————
*Emri në librin e botuar më 1937
është: Gjergj Alez Alia.
**Kumbar.
***Hekur i fortë.
MARTESA E HALILIT
Lum për ty, o i lumi Zot!
Fort po shndrit njaj diell e pak po xe’!
Ç’p’ e merr frima rrapin e Jutbinës!
Borë e madhe, qi ka ra,
Randojnë ahat për me u thye;
Ki’n çetinat vetëm kreshtat:
Ushtojnë lugjet prej ortiqesh,
Prej ortiqesh, kah po bijnë ndër gropa.
Janë ra vashat me gja n’lumë,
Kan gjetë lumën tanë ngri akull;
Kan nisë vashat me lypë krojet,
Kan gjetë krojet tanë ngri hej,
Ça kan qitun e kan thanë?
„Kur t’bajë Zoti me e lirue,
„Gjaja e gjallë, druem, ka mbarue!
„Po o Zot, ç’janë njata shtegtarë,
„Veshë e mbathë porsi zotnij?
„Mos janë nis trimat me çetue?
„Qi ata qafat kurr s’und i kalojnë!“
Ka qit Jera edhe u ka thane:
-O nuk janë, jo krushq darsmorë,
-Se ata paresh rane n’lumë;
-Ka dalë Muji me kreshnikë:
-A thue ndeshet m’ndo’ i gja malit!-
T’kjofshim falë, o i Madhi Zot,
Sa shpejt diellin m’a xu reja!
Shpejt m’a endi’ i pëlhurë t’gjanë e t’gjatë!
E i ka veshun majet rreth e rrokull,
Qi kur janë kapë trimat tu lumi,
Kaq përzi i ka frima pjalm e re,
Askurrnja shoshojnë trimat s’p’e njofin.
I’n ngri trimat me sharrue;
Por n’breg t’lumit- kulla e Mujit.
T’tanë për darkë Muji i ka ndalë.
Kqyr shka bani Gjeto Basho Muji!
E ka vu nji barrë dru t’vogël n’zjarm,
Treqind vetë p’r’i herë m’u xe.
At-herë trimi u ka avitë bucelat,
At-herë trimi u ka avitë fuçijat;
-In bucelat plot raki,
In fuçijat plot me venë.-
Sa shpejt frima burrave u ka ardhë!
Sa shpejt gjaku trimave po u xehet!
Kan marrë llafin e po llafiten;
Kan marrë gazin e po gazmojnë;
Kan nisë trimat Mujin p’e pëvetin:
„ N’votër t’ande kem qillue,
„Mos na ki randë për nji fjalë!
„Pash nji Zot, Mujë, qi t’ka dhanë
„Qysh Halilin s’e martove?
——
Në nderim të këtyre bijëve të kombi shqiptar, shkruesi i këtyre rradheve, që deshmojnë shumë pak, për veprimtarin e tyre në shërbim të atdheut, u ka kushtuar rreth vitit 1987 këto vargje
VISARET E KOMBIT
martirëve të Kishës Katolike Shqiptare
Një shkëmb,
një kishë, një kryq,
një portë me hark,
kube, altar i thjeshtë e shenjtëri!
Teposhtë, ai Fan i lashtë ndër valë,
prej Ilirie rrjedh, murmuron.
Ai lumë dëshmish me gjak e dhimbje!
Nga shkëmbi vjen kumbim kambane,
jehon në brigje e kulla varg,
kjo thirrje bese e shpirtit tënd!
At Bernardin, At Bernardin,
ngroh në faltore besimtarë,
meshon përunjshëm
për t’lumin Zot e për Krishtlindje,
për shenjtëritë me ruzare,
për Atme e besë!
Kungon me frymë lirie
ferishte, engjëj! *
Kurorëzon çifte,
e për të thinjur
një pleqëri të bardhë uron!
At Bernardin, At Bernardin
tok me At Donatin,
në qelë poetësh, dijetarësh,
ende gjallon ai kandil
dhe pena e artë,
në ato visare
na fton e shndrin!
Bernardin, Bernardin,
tok me Donatin!
Afër sharkisë e lahutarit,
pranë çiftelisë
e rreth valltarëve,
me shtojzovalle e me fatí.
Dëgjoni larg, sokola mali,
lart në shkrepa,
ndër prozhme e kroje,
piskamat hej e ho!
“Janë ra vashat me gja n’lumë,
kanë gjetë lumën tanë ngri n’akull!…
Nand’ varra Gjergji n’ shtat m’i ka
shkapet bajlozin e sokëllin…”
At Bernadin e At Donat!
Ku, vallë, prehet kurmi juaj?
Vrastarët jua prishën shtatin,
shpirtin e bukur, jo kurrë, askund!
Kur djajtë digjen në skëterrë,
shpirti juaj lumnon në Paradis!