Sot pritet të mbahet seanca e radhës parlamentare në orën 10.00.
Në rendin e ditës janë parashikuar një sërë çështjesh, mes tyre një interpelancë e kërkuar nga deputeti Nasip Naço me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Ndërkohë, opozita është shprehur e vendosur të mos lejojë veprimtari normale për shkak të përjashtimit të 6 deputetëve dhe mos përmbushjes së tre kërkesave kryesore.
“Jemi të vendosur që të mos lejojmë veprimtarinë normale të parlamentit deri sa opozitës t’i respektohen të drejtat e saj.
Kemi bërë propozimet tona për përbërjen e komisionit dhe mazhoranca do duhet të respektojë kërkesën e opozitës që të përfaqësohen në komisionin e posaçëm me ato kolegë deputetë që ne dëshirojmë të na përfaqësojnë”, tha dje kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Deputetët e përjashtuar me 10 ditë janë Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Albana Vokshi , ndërsa Saimir Korreshi me 3 ditë.
Por, pavarësisht masës disiplinore të marrë nga Komisioni i Etikës me propozimin e PS, deputetët kanë paralajmëruar se do të jenë të pranishëm në sallë.